Më në fund u dorëzua Shaqir Fetai! Na tha publikisht se Gjimnazi privat “Medresja Isa Beu”, është “i akredituar” dhe në këtë drejtim duhet të vendosë Gjykata Kushtetuese! Ndërsa Gjykata Kushtetuese do ta ketë për bazë dokumentin e lëshuar nga ish-Ministri i arsimit, z. Jeton Shaqiri, më datën 9. 04. 2024, me numër 13-3722/3
Nga Mr. Eset Shaqiri
Shaqir Fetai tashmë po vlerësohet si ndër të paktën persona publik që nuk kanë kondicion dhe përqëndrim në paraqitjet publike. Në debate publike deligjitimohet brenda pak sekondave, vetëlakuriqësohet sapo të hap gojën, prandaj nuk e ke askund as në paraqitje publike e as në debate. Së fundmi pranoi të ketë një intervistë në studiot e Klan Maqedonisë në prag të Muajit të Bekuar të Ramazanit dhe, nën një zhvillim profesional të intervistës, ai do të vetëzhvishet si analfabet funksional, por edhe do të dorëzohet para një treysnie që i bëhet tash e sa kohë lidhur me akreditimin e Medresesë “Isa Beu”! Në këtë intervistë, Shaqir Fetai, tha se “Medresja” tashmë është një gjimnaz privat i cili i nënshtrohet programit mësimor të Byrosë për Arsim në RMV, e cila nuk e njeh programin arsimor të shkollave të mesme profesionale teologjike.
Pra, Shaqir Fetai me gojë të vet do të pranojë se është mbyllur Medreseja tradicionale që nxirrte kuadro teologjike për nevoja të BFI-së dhe se tashmë ka regjistruar gjimnazin “Medreseja Isa Beu”! Pra, nga Medresja tradicionale ka vjedhur emrin me të cilin e ka emërtuar një gjimnaz privat i cili i nënshtrohet programit arsimor shtetëror për të prodhuar kuadro për nevoja të shtetit.
Pa dyshim, kjo ide i ofrohej BFI-së tash e dy-tri dekada më herët porse kurrë nuk kishte ndonjë qëndrim për ta përqafuar një ide të tillë të djallëzuar. Xhamitë tona, organet e BFI-së kanë nevojë për kuadro që përgatiteshin sipas një programi arsimor me baza të fuqishme teologjike. Kjo ishte arsyeja se pse shteti nuk e ndihmonte këtë shkollë profesionale teologjike dhe, kjo ishte arsyeja se pse BFI gjithnjë i drejtohej popullatës myslimane që të ndihmohej kjo Medrese.
Po tani? Përfundimisht, Shaqir Fetai ra pre e euforisë dhe borxhit që e kishte ndaj BDI-së, partisë që e ndihmoi në Tradhëtinë e Madhe! Kësaj Partie i duhej një “akt” që do t’ia shtonte simpatinë në popull tek i cili kishte filluar ta humbasë respektin dhe i cili po përgatitej për një kalim masovik në një bllok të ri partishë shqiptare. Hajde, thanë, ta “akreditojmë” Medresenë, meqë ministrin e kemi shqiptar plus që është i BDI-së! Pra, Shaqir Fetai e bëri këtë për vota më shumë për BDI-në, dhe jo që e bëri për nevoja të BFI-së! Me “akreditimin” që e bëri ia theu boshtin kurrizor Medresesë tradicionale. Për t’i ikur përgjegjësisë, në intervistën e vetme në TV Klan Maqedonia do të shprehet se këtë akt e ndërmori pas një seri konsultimesh dhe vendimesh me stafin arsimor të Medresesë “Isa Beu”! Me këtë fjali ai i përlyen të gjithë profesorët e Medresesë, sepse i prezanton si figura që kanë qenë të gatshëm me plotë vullnet të vihen në shërbim të BDI-së! Në fakt, ish-profesorët e Medresesë “Isa Beu” të cilët tashmë janë detyruar që t’ju shërbejnë kuadrove të ardhshëm të institucioneve shtetërore, kategorikisht mohojnë se dikush i ka pyetur për këtë lloj “akreditimi”, madje edhe sikur të ishin pyetur do të ishin kategorikisht kundër. Pra, thjesht, janë injoruar nga Shaqir Fetai i cili e ka pasur hall shtimin e votave për BDI-në!
Një muaj para zgjedhjeve parlamentare, gjegjësisht më 9 prill të vitit 2024, në zyrën e Shaqir Fetait do të “aterojnë” zv.kryeministri Artan Grubi, Zëvendës ministri i Mbrojtjes, Tiron Jajaga si dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, të cilët do t’ia dorëzojnë “reisit” të tyre AKTVENDIMIN PËR VERIFIKIMIN E MEDRESESË ISA BEU TË SHKUPIT!
Në fakt, përmes këtij dokumenti verifikohen kushtet për realizimin e planit mësimor për arsimim të mesëm në Gjimnazin privat “Medresja Isa Beu”, në fshatin Kondovë të Shkupit! Është formuar komision gjegjës i cili ka vërtetuar se kjo shkollë e themeluar rishtaz i plotëson kushtet për arsimim të mesëm pasi e pranon programin mësimor të përcaktuar nga Byroja për arsim në nivel shtetëror.
Pra, nuk bëhet fjalë për aktreditimin e Medresesë si shkollë profesionale për shkollimin e kuadrit teologjik për nevoja të BFI-së por bëhet fjalë për verifikimin e gjimnazit privat i cili do të zhvillojë arsimim sipas kurikulës së shkollave të mesme në RMV! Natyrisht, meqë ia kanë vjedhur emërtimin Medresesë, do të përpiqen që kësaj fëlliqhane t’i hedhin edhe pak mëlmesa duke inkorporuar ilegalisht edhe disa “lëndë teologjike” me të cilat do të nxjerrin gjysëm-hoxhallarë të padenjë për t’ju shërbyer myslimanëve të devotshëm të këtyre trevave.
Së këndejmi, a do të ketë fytyrë që edhe sivjet të dalë Shaqir Fetai e të kërkojë fitra, zeqat e kurbane për medresantët e “Isa Beut”? Pra, ta kërkojë djersën e myslimanëve për t’i shkolluar kuadrot për nevojat e institucioneve shtetërore? Po, do të ketë fytyrë, sepse ai që tani është i bindur se Gjykata Kushtetuese, e cila do ta japë interpretim autentik lidhur me “akreditimin e Medresesë”, do të sjell vendim në të mirë të nxënësve të kësaj Medrese. Përpjekje paraprake për manipulim të pistë! Gjykata Kushtetuese sjell vendime në të mirë të të gjithë qytetarëve të vendit, është në mbrpojtje të tyre, është në shërbim të interesave të tyre! Nxënësit që do t’i nënshtrohen Programit mësimor për shkolla të mesme në RMV nuk mund të quhen “hoxhallarë”, ndaj dhe do ta mbrojë epitetin akademik të tyre “gjimnazistë”, qofshin këta edhe nxënësit e gjimnazit privat “Medresja Isa Beu”! Me këtë Gjykata Kushtetuese nuk do ta mbyllë këtë Gjimnaz që mbanë emrin e ish-Medresesë tradicionale, porse as nuk do të genjejë e të thotë se Medresja është e akredituar, sepse kjo nuk mund të bëhet me vendim të qeverisë, aq më pak kur ajo qeveri është teknike, por me vendim të Kuvendit, i cili e ka fjalën e fundit nëse do ta ndërrojë karakterin laik të shtetit. Jo rastësisht Shaqir Fetai do të deklaronte që në vitin 2021 se tashmë projekti për akreditimin e Medresesë “Isa Beu”, gjendet në duart e deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut! Se çka kërkoi ky projekt të kalojë në duart e ministrave shqiptarë të një qeverie teknike, këtë mund të na e shjegojë (nëse do të dijë) vetëm Shaqir Fetai! Deri atëherë medresantët tanë do të jenë viktimë e akrobacioneve të djallëzuara të Shaqir Fetait!
