Marine Le Pen të hënën del para gjykatës, akuzohet për përvetësim të fondeve të BE-së

Marine Le Pen dhe zyrtarë të tjerë nga partia franceze e ekstremit të djathtë “Tubimi Kombëtar” do të dalin në gjyq të hënën me akuzat për përvetësim të fondeve të Bashkimit Evropian.

Edhe pse akuzat datojnë 20 vjet më parë, gjyqi do të monitorohet nga afër nga rivalët politikë të Le Pen, pasi ajo mbetet një pretendente e fortë në garën për të pasuar Emmanuel Macronin kur të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme presidenciale në vitin 2027, raporton AP.

“Tubimi Kombëtar” dhe 26 zyrtarë të lartë të tij akuzohen se kanë përdorur paratë e destinuara për ndihmësit e parlamentit të BE-së për të paguar stafin që në vend të kësaj, kanë kryer punë politike për partinë, midis viteve 2004 dhe 2016, duke shkelur rregulloret e bllokut 27-vendesh.

Tubimi Kombëtar në atë kohë quhej Balli Kombëtar. Avokati kryesor Patrick de Maisonneuve që përfaqësonte Parlamentin Evropian ka thënë për AP-në se Le Pen dhe të tjerët abuzuan me sistemin.

“Ajo krijoi një sistem të centralizuar që çoi në keqpërdorimin e fondeve evropiane. Nuk ishin vetëm para aty-këtu, ishte një sistem që u vendos dhe që filloi me babain e Le Pen dhe themeluesin e partisë, Jean-Marie Le Pen dhe vazhdoi me Marine Le Pen për të centralizuar paratë e alokuara nga Parlamenti Evropian”, ka deklaruar ai.

Le Pen, partia e së cilës ka zbutur qëndrimin e saj anti-BE në vitet e fundit, po mohon keqbërjet dhe pretendon se rasti është i drejtuar politikisht.

“Asistentët parlamentarë nuk punojnë në Parlament. Ata janë asistentë politikë të zyrtarëve të zgjedhur, politikë sipas definicionit”, ka argumentuar ajo në mbrojtjen e saj.

Gjyqi pritet të zgjasë nëntë javë. Nëse shpallen fajtore, Le Pen dhe të pandehurit e tjerë mund të përballen me burgim deri në 10 vjet dhe gjoba deri në një milion euro secili.

Mund të caktohen gjithashtu dënime shtesë, si humbja e të drejtave civile ose mospërshtatshmëria për të kandiduar, një skenar që mund të pengojë, madje edhe të shkatërrojë qëllimin e Le Pen për të kandiduar pas përfundimit të mandatit të Macronit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *