Konfiskim i pasaportës, ndalim i largimit nga Serbia dhe detyrim për t’u paraqitur në policinë e Beogradit dy herë në muaj.
Për gati një vit, këto janë masat e vetme që kanë ndërmarrë autoritetet shtetërore të Serbisë kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili publikisht ka pranuar përgjegjësinë për sulmin e armatosur kundër policisë së Kosovës në Banjskë.
Autoritetet në Serbi refuzojnë ta ekstradojnë Radoiçiqin në Kosovë dhe thonë se ai do të gjykohet nga “gjykatat serbe”, ndërsa zyrtarët në Kosovë thonë se ato i kanë ofruar mbrojtje atij.
“Radoiçiq paraqitet rregullisht në polici”
Nga Gjykata e Lartë në Beograd, e cila i ka vendosur masat kundër Radoiçiqit, thonë për Radion Evropa e Lirë se ai i respekton ato dhe se paraqitet rregullisht në stacionin kompetent policor.
Masat, sipas gjykatës, zgjaten çdo tre muaj dhe hera e fundit kur janë zgjatur, ka qenë fillimi i korrikut.
Pavarësisht kësaj, vendbanimi i Radoiçiqit aktualisht në Serbi nuk është i qartë.
Policia nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë për këtë çështje, e ngjashëm as avokati i Radoiçiqit, Goran Petronijeviq.
Predrag Petroviq, nga Qendra joqeveritare e Beogradit për Politikë të Sigurisë (BCBP), e përshkruan Radoiçiqin si “të preferuarin” e Qeverisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“Fakti që nuk kemi ende një rast serioz gjyqësor kundër Radoiçiqit në Serbi, tregon se ai është nën mbrojtjen e shtetit”, thotë Petroviq për Radion Evropa e Lirë.
Me vendim të gjykatës në Beograd, Radoiçiqit i është ndaluar kthimi në Kosovë, ku, sipas fjalëve të tij, më 24 shtator të vitit 2023 ka organizuar një sulm të armatosur.
Një polic i Kosovës është vrarë në këtë sulm, ndërsa në shkëmbimin e zjarrit që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Në Kosovë, autoritetet kanë ngritur tashmë aktakuzë kundër Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë.
i akuzohet për terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues të Kosovës.
Në aktakuzë, ai përshkruhet si udhëheqës i “një grupi terrorist”, që ka tentuar ta aneksonte veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – dhe t’ia bashkonte atë Serbisë.
Seanca e parë dëgjimore është paralajmëruar për datën 25 shtator.
Beogradi zyrtar e injoron këtë proces në Kosovë, ndërsa vetë nuk ka ngritur asnjë aktakuzë për Banjskën, edhe pse ka gati një vit që ka nisur hetime.
Serbia, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës apo institucionet e saj, i cilëson edhe veprat penale ndryshe nga Prishtina zyrtare.
“Hetimet vazhdojnë”
Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë se hetimet janë në vazhdim e sipër.
Ajo tha se në bashkëpunim me organet e tjera shtetërore, po i vërteton të gjitha faktet dhe rrethanat “në lidhje me ngjarjen kritike në Banjskë”.
“Pas përfundimit të hetimeve, opinioni do të njoftohet për vendimin e prokurorit”, thanë nga kjo zyrë.
Radoiçiq, sipas tyre, ka statusin e të dyshuarit.
Ai akuzohet për disa vepra penale, përfshirë prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje të armëve të zjarrit dhe të lëndëve plasëse, si dhe vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.
Të dyshuarit e tjerë janë persona të panjohur.
Gjatë dëshmisë së tij në Prokurori më 3 tetor të vitit të kaluar, Radoiçiq e ka mohuar fajësinë.
Megjithatë, në një letër publike të lexuar më herët nga avokati i tij, Goran Petronijeviq, ai e ka pranuar përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.
Ai ka thënë se e ka organizuar personalisht atë dhe e ka mohuar përfshirjen e shtetit serb.
Në atë letër, Radoiçiq ka deklaruar se ka shkuar në Banjskë“për t’iu bërë rezistencë autoriteteve të Kosovës dhe për të mbrojtur popullin serb”.
A bashkëpunon Serbia me Kosovën në rastin e Banjskës?
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se, përmes Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, i është drejtuar Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX.
Ajo kërkoi që t’i dorëzohet dokumentacioni i plotë për rastin Banjska.
“Për dhënien e ndihmës juridike është kërkuar të dorëzohet procesverbali i hetimeve, foto-dokumentacioni, procesverbalet e autopsisë së të gjithë personave të vdekur, raportet mjekësore të të gjithë të lënduarve”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Aty thuhet, po ashtu, se janë kërkuar procesverbalet e ekspertimit të armëve dhe municionit e mjeteve shpërthyese, si dhe procesverbalet e marrjes në pyetje të të pandehurve dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve.
“Deri më sot nuk është dorëzuar dokumentacioni në Prokurori dhe as nuk ka pasur ndonjë përgjigje nga EULEX-i”, tha Prokuroria serbe.
Ministria e Drejtësisë e Kosovës më herët ka deklaruar se kjo kërkesë e Serbisë është në kundërshtim me ligjet e Kosovës.
Ajo ka thënë, gjithashtu, se Kosova asnjëherë nuk ka marrë përgjigje nga Serbia “për dorëzimin e kriminelëve”.
Beogradi zyrtar ka vendosur që të mos veprojë sipas fletarrestimit të Interpol-it, i cili, me kërkesë të Prishtinës, është lëshuar në dhjetor të vitit 2023.
Udhëheqësit e Serbisë kanë thënë se ekstradimi i tij është “i pamundur” dhe se të gjitha proceset gjyqësore do të zhvillohen “para gjykatave vendase”.
I pyetur për aktakuzën e Kosovës për Banjskën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 13 shtator se autoritetet serbe janë duke i kryer hetimet e tyre.
Për Serbinë, ka shtuar Vuçiq, rasti Banjska “nuk është terrorizëm në asnjë mënyrë”.
Në një deklaratë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se sa i përket aktakuzës së ngritur në Kosovë, SHBA-ja inkurajon respektimin e procesit gjyqësor dhe sundimin e ligjit, si dhe durim, derisa ky rast kompleks tëzgjidhet në gjykata.
A e mbron BIA Radoiçiqin?
Zyrtarë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, kanë deklaruar gjatë vitit të kaluar se Millan Radoiçiq ka mbajtur takime me anëtarë të Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë – BIA.
BIA nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për t’i komentuar këto pretendime.
Pyetjes se “a po e mbron” Serbia Radoiçiqin, nuk iu përgjigjen as Qeveria e Serbisë e as kabineti i presidentit Aleksandar Vuçiq.
Predrag Petroviq, nga Qendra e Beogradit për Politikë të Sigurisë, thotë se, marrë parasysh shtrirjen e operacionit, numrin e njerëzve, sasinë dhe llojin e armëve të përdorura në Banjskë, do të ishte “shumë e vështirë të konstatohej ose të besohej” se shërbimet serbe të sigurisë nuk kishin informacione për atë operacion.
“… sidomos për faktin se një veprim i tillë do të kishte, edhe siç ka, rëndësi dhe pasoja të mëdha sigurie dhe politike për Serbinë dhe për Qeverinë e Aleksandar Vuçiqit”, thotë Petroviq.
Ai shton se “sikur të kishte një sistem demokratik”, prokuroria dhe autoritetet gjyqësore të Serbisë do ta hetonin Banjskën në detaje.
Sipas tij, hetimet duhet t’i udhëheqë edhe Parlamenti serb, përkatësisht komisionet për kontrollin e shërbimeve të sigurisë dhe të punëve të brendshme.
I pyetur se përse Radoiçiq nuk është ndjekur penalisht deri më tani, Petroviq thotë se “Qeveria, e udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe dhe Aleksandar Vuçiq, padyshim se i detyrohet atij për shërbime të ndryshme”.
“Është sekret i hapur se ai ka qenë personi kryesor për disiplinimin e serbëve në veri të Kosovës dhe për një lloj menaxhimi joinstitucional të atij territori, në emër të Qeverisë së Aleksandar Vuçiqit”, thotë Petroviq.
“Ai funksion politik dhe i para-sigurisë, së bashku me bashkëpunimin në biznes, tregojnë se lidhjet e tij me njerëz të afërt me Qeverinë, janë të forta dhe se ato mund të jenë shumë komprometuese për udhëheqjen dhe Aleksandar Vuçiqin”, shton ai.
Radoiçiq ka dhënë dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – në ditën kur ka pranuar përgjegjësinë për Banjskën.
Më herët, zyrtarët e Kosovës e kanë lidhur atë me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, një politikan serb nga veriu i Kosovës.
Megjithatë, autoritetet në Serbi e kanë mohuar përfshirjen e Radoiçiqit.
“Millan Radoiçiq nuk është i shenjtë… por ai, në asnjë mënyrë, nuk ka marrë pjesë në likuidimin e Oliver Ivanoviqit”, ka thënë atëkohë Vuçiq.
Derisa autoritetet e Kosovës e kanë kërkuar Radoiçiqin edhe para Banjskës, nën dyshimet për disa vepra kriminale, ai është parë në takimet zyrtare të Vuçiqit në Beograd me përfaqësues të serbëve nga Kosova, si dhe në Parlamentin e Serbisë.
Shkrimin e plotë e gjeni këtu.