Shërbimi i sigurisë FSB i Rusisë njoftoi se ka hapur procedim penal kundër një gazetari që punonte për CNN, i cili tha se kaloi ilegalisht kufirin rus për të raportuar nga rajoni i Kurskut pas inkursionit ndërkufitar të Ukrainës.
FSB deklaroi se bëhet fjalë për gazetarin Nick Paton Walsh, shtetas britanik që punon si korrespondent kryesor i sigurisë ndërkombëtare të CNN.
FSB thuhet se ka hapur gjithashtu raste të ngjashme kundër dy gazetarëve ukrainas.
“Gjatë gjithë këtij konflikti, ekipi ynë ka ofruar raportime faktike dhe të paanshme duke mbuluar si perspektivën ukrainase ashtu edhe atë ruse të luftës. Ekipi ynë është ftuar nga qeveria ukrainase, së bashku me gazetarë të tjerë ndërkombëtarë, për të shoqëruar ushtrinë ukrainase në territorin që tashmë po e kontrollojnë brenda Rusisë. Ky është një aktivitet i mbrojtur në përputhje me të drejtat e gazetarëve sipas Konventës së Gjenevës dhe ligjit ndërkombëtar”, tha një zëdhënës i CNN për Reuters.
Gazetarët udhëtuan me një kolonë ushtarake ukrainase nga Ukraina në Sudzha, ku hasën në një qytet pothuajse të shkretë me vetëm disa dhjetëra banorë të moshuar.
FSB tha në një deklaratë se Moska së shpejti do të lëshojë një urdhër arresti ndërkombëtar në lidhje me rastet e tre gazetarëve. Dënimi maksimal për këdo që shpallet fajtor për kalimin e paligjshëm të kufirit është pesë vjet burg.
Rusia thirri një diplomat të lartë amerikan në Moskë në fillim të kësaj jave për të protestuar ndaj atyre që ajo i quajti “veprime provokuese” nga gazetarët amerikanë që raportonin nga rajoni i Kurskut.
Pushtimi i shpejtë i Ukrainës në Kursk, më i madhi i Rusisë nga një fuqi e huaj që nga Lufta e Dytë Botërore, filloi më 6 gusht kur mijëra ushtarë ukrainas kaluan kufirin perëndimor të Rusisë.