Sulmet ajrore izraelite në dy shkolla në veri të qytetit të Gazës kanë vrarë 17 palestinezë, shumica prej tyre fëmijë, dhe lanë të paktën 63 të plagosur, sipas zëdhënësit të Mbrojtjes Civile të Gazës, Mahmoud Basal.
“Shkollat u shënjestruan për herë të dytë me tre raketa, duke rezultuar në 17 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, të cilët u transportuan në Spitalin Baptist në qytet”, tha Basal.
Sipas Mbrojtjes Civile të Gazës, shkollat po përdoreshin si strehimore për njerëzit e zhvendosur.
Bëhet e ditur se në shënjestër ishin shkolla Al-Huda dhe Al-Hamama, të cilat janë ngjitur me njëra-tjetrën dhe ndajnë të njëjtin shesh lojërash.
Të pyetur për koment mbi sulmet ajrore, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se Forcat Ajrore izraelite (IAF) goditën terroristët e dyshuar që vepronin brenda një qendre komandimi dhe kontrolli të Hamasit, shkruan CNN.
Nga ana tjetër, autoritet palestineze thonë se ushtria okupatore izraelite e cila vret fëmijë, civilë dhe gazetarë, vazhdimisht arsyetohet se kinse ka pasur informacione se në ato vende po operojnë luftëtarë të Hamasit.