Presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, ka thënë se një ndër temat gjatë takimit me kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca, ishte ajo e sigurisë.
Nussbaumer tha se Zvicra është e shqetësuar në lidhje me tensionet, sipas tij, në rritje lidhur me pakicat serbe në Kosovë por edhe me situatën në pjesën veriore të vendit.
“Kemi adresuar edhe marrëdhëniet komplekse mes Serbisë dhe Kosovës. Zvicra është e shqetësuar për tensionet në rritje lidhur me pakicat serbe në Kosovë dhe situatën në pjesën veriore”.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapat që t’i adresojnë këto tensione dhe t’i parandalojnë eskalimet. Për Zvicrën, paqja e qëndrueshme dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është shumë e rëndësishme, prandaj ne e mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Nussbaumer.
Tutje, ai tha se Zvicra është krenare me komunitetin e kosovarëve që jetojnë në Zvicër, e të cilët sipas tij, janë integruar mirë në shoqërinë zvicerane.
“Kontributi i kosovarëve në suksesin e ekipit futbollistik është vetëm një dëshmi e vogël e kësaj. Zvicra e mbështet Kosovën në fusha të rëndësishme siç janë qeverisja e mirë, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Ky angazhim është dëshmi e përkushtimit tonë për zhvillimin dhe integrimin evropian të Kosovës”, tha ai.