Murphy: Atmosfera politike në Bosnjë më e keqe se lufta, Dodik përgjegjës

Ambasadori i SHBA-së në Sarajevë Michael Murphy e vlerësoi atmosferën e sotme politike në vend si ndoshta më të keqen që nga lufta dhe akuzoi liderin e Republikës Serbe, Milorad Dodik, se po kërcënon interesat e SHBA-së në Bosnje-Hercegovinë duke shpallur shkëputjen e entitetit të saj.

“Aktualisht, Bosnja dhe Hercegovina po përballet ndoshta me klimën më të keqe politike që nga vitet e 90-ta të shekullit të kaluar. Milorad Dodik është veçanërisht përgjegjës për këto probleme”, tha Murphy në Sarajevë.

Ai shtoi se në BeH mund të dëgjohet “retorikë e keqe, etno-nacionaliste” çdo ditë, e cila, siç pohoi ai, vjen nga të gjitha kombet dhe partitë politike, shkruan KP.

Për Dodikun, ai vlerësoi se retorika e tij është “gjithnjë e më e poshtër, ksenofobike dhe kokëfortë”, ndërsa aktivitetet secesioniste janë një kërcënim direkt për marrëveshjen e paqes të Dejtonit.

“Plani i zotit Dodik për një ‘ndarje paqësore’ të Republikës Serbe nga Bosnja është një fantazi e rrezikshme, e paligjshme dhe përfaqëson një kërcënim për interesat themelore të SHBA-së në Bosnje,” tha ambasadori amerikan.

Ndryshe, Dodik është një objektiv i vazhdueshëm i kritikave nga administrata e SHBA-së dhe shumica e vendeve perëndimore për mbrojtjen e shkëputjes së entitetit që ai drejton nga BeH.

Në seancën e fundit të Këshillit për Zbatimin e Paqes, i cili mbikëqyr punën e përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar Christian Schmidt, i përbërë nga vendet perëndimore dhe Turqia, u theksua se lëvizjet përfundimtare secesioniste të Dodik nuk do të kalojnë pa reagim nga administrata ndërkombëtare në BeH.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *