Grupet e punës mes VMRO-së dhe VLEN-it i filluan takimet për bashkëqeverisje

Grupet e punës mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN filluan takimet për arritjen e marrëveshjes së bashkëqeverisjes. Takimi i parë u zhvillua në selinë e VMRO-DPMNE-së, ku koalicioni VLEN u përfaqësua nga ekipi në të cilin të gjitha partitë kanë deleguar njerëz. Ekipin negociues të VLEN e përbejnë: Azir Aliu, Visar Ganiu, Adnan Azizi dhe Bashkim Murtezi. Ndërkohë VMRO-DPMNE-ja në negociata përfaqësohet nga Aleksandar Nikollovski, Vllado Misajllovski, Gordana Dimitrievska dhe Timço Mucunski.

Nuk ka detaje për kërkesën dhe ofertën, por ajo që thuhet në rrethana jo zyrtare është se palët kanë analizuar programet e njëra-tjetrës dhe tani pritet që negociatat të kalojnë në nivel konkret. As VLEN dhe as VMRO-DPMNE-ja e Hristijan Mickoskit nuk tregojnë nëse bisedimet kanë arritur në stadin e ndarjes së resorëve apo edhe emrave konkret se kush do të udhëheq me to. Nga të dyja palët thonë se është akoma herët për të arritur në ndarjes resorësh dhe caktim kuadrosh dhe se për marrëveshjen eventuale do të njoftohemi në kohë.

“Metodologjia e punës dhe dinamika e saj janë temat e sotme. Kur do të filloni me bisedime konkrete për zgjidhje kadrovike? Besoj nga takimi i ardhshëm do të ketë diçka konkrete”, tha Azir Aliu, VLEN.

Negociatat parimore për shumicë të re nisën në nivel liderësh fundjavën e kaluar në zyrat e koalicionit VLEN në Sheshin Skënderbeu në Shkup. Përveç me VLEN Mickoski gjatë javë ka zhvilluar takime edhe me partnerët e koalicionit parazgjedhor, ndërsa nuk dihet nëse negociatat për shumicën e re i ka zgjeruar edhe me subjekte të tjera ose jo. Për momentin nuk ka informacion nëse partia e ZNAM e Maksim Dimitrievskit është në planet e Mickoskit ose jo. Negociata dhe bisedime të paktën në rrugë zyrtare nuk ka pasur as me BDI-në, për të cilën Mickoski ka deklaruar se është koha të shkojë në opozitë.

Negociatat për Qeverinë e re po zhvillohen në kohën kur Gjykata Administrative po shqyrton ankesat e Frontit Evropian mbi vendimet e KSHZ-së për rivotim në 7 qendra votimi në njësinë 5 dhe 6 zgjedhore. Afati për vendimin mbi ankesat e dorëzuara në Administrative është 48 orë. Gjykata duhet të vendos nëse në Zhelinë, Strugë, Ohër, Krushëve dhe Dollneni do të ketë rivotim ose jo. /Alsat.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *