Shoqërisë shqiptare fatkeqësisht, ndër të tjera, i mungon edhe ndjenja e përgjegjësisë. Kjo mungesë çoi drejt zbehjes së vlerave morale, kurse pa këto të fundit nuk mundet të fitohet asnjë betejë. A ishte kjo pikërisht ajo që shqiptarët i bënte të ndjehen shpesh si humbës, apo as këtë nuk mund ta perceptonin për shkak të ngurtësisë së brendshme shpirtërore! Kjo ngurtësi prodhoi vetëm egoizëm, ftohje në raport me të tjerët, injorantë, individë pa parime e kështu me radhë. Një konglomerat i këtillë shoqërinë shqiptare e bën shoqëri pa gjak. Krimbi i këtyre dukurive që moti vazhdon ta brejë arsimin, kulturën, mbase edhe politikën. Injoranca më e dukshme vërehet në sistemin e arsimit, por edhe në atë të kulturës, ndonëse këtë askush nuk dëshiron ta pranojë, edhe përkundër faktit se atë në çdo kohë e dëshmon realiteti.
Michel Eyquem de Montaigne ka arritur deri te një konstatim brilant: kemi dy lloje injorantësh, ka thënë ai – “njëri e ka rrjedhjen nga analfabetizmi dhe tjetri nga njerëzit me doktoraturë”. Çarjet në arsim në çdo nivel janë evidente, kurse kjo edhe më tej kalon nëpër një heshtje të çuditshme. Dhe askush nuk shqetësohet për këtë verigë të rëndësishme për të pasur një shoqëri të shëndoshë, të aftë dhe kreativ. Kjo bëri që gjeneratat e reja të jenë gjenerata të hutuar, pa vizion dhe ideal. Shtërzimet kulturore, sociale, ekonomike imponuan nevojën e kërkimit të alternativave të reja, të cilat, fatkeqësisht, për shkak të rrethanave dhe specifikave të ndryshme, vështirë mund të vijnë në shprehje. Të vet-pëlqyerit që janë të shumtë, vazhdimisht tentojnë ta imponojnë të vërtetën e tyre, përmes të cilave insistojnë që të mbeten në sipërfaqe, gjithnjë duke u fshehur prapa vlerave të dyshimte morale, intelektuale, kombëtare. Në historinë e tyre, krahas politikës së hapur, që ishte e çiltër, parimore, e urtë, largpamëse, e drejtë e paqësore, shqiptarët patën rastin ta njohin edhe politikën grabitqare, politikën e grushtit të hekurt, politikën e kulaçit e kërbaçit, politikën e kërcënimit e shtrëngimit, por edhe të manipulimit. Shqiptarët i provuan të gjitha këto politika, por duke se akoma nuk u mbushën me mend…
/HEJZA/