150 ditë burg për Dobrunën që kërcënoi gazetarin Vehbi Kajtazi

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Driton Dobruna për kanosjen e gazetarit Vehbi Kajtazi, duke e dënuar me 150 ditë burgim.

Për kërcënimin ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi, i akuzuari Driton Dobruna u dënua me 150 ditë burgim.

Aktgjykimi u shpall sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë, raporton Betimi për Drejtësi.

Gjykatësi Dibran Jusufi bëri të ditur se të akuzuarit i ndërpritet masa e paraburgimit, ndërsa dënimi ndaj tij do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve pasi që ky aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm.

Prezent në seancën e sotme nuk ishte i akuzuari Dobruna dhe as prokurori i rastit Paulin Pashku, ndërsa mori pjesë i dëmtuari Kajtazi.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, më 1 nëntor 2024, i akuzuari Dobruna e kishte pranuar fajësinë se përmes mediave sociale e ka kanosur pronarin e portalit “Paparaci”.

Sipas aktakuzës, Dobruna gjatë kërcënimit ndër të tjera i kishte shkruar Kajtazit se: “Do të lyej me benzinë, ne të dy do të takohemi, e unë e ti së bashku në ferr”.

Dobruna ishte arrestuar pas raportimit të kanosjes derisa i ishte caktuar edhe masa e paraburgimit më 11 tetor 2024.

Ndërkohë, AGK-ja kishte kërkuar reagim të organeve të drejtësisë për Dobrunën dhe gjithë ata që kërcënojnë gazetarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *