1
1
Letërsia është mjeshtëria e të shkruarit në mënyrë artistike, duke pasqyruar jetën shoqërore në mënyrë objektive. Shkrimtari është ai mjeshtër që ushtron letërsinë në dobi të njerëzimit, në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare, me anën e pendës. Ai bën përgjithësime mbi botën, mbi njerëzit dhe mbi gjithçka, që është lidhur me njerëzit dhe gjithë popujt, për zgjimin e tyre, për lumturinë e tyre. Shkrimtari riprodhon jetën me anën e përgjithësimeve artistike, që quhen figura artistike.
Figurat artistike shprehin ndjenjat, mendimet, qëllimet, dëshirat e personazhet, nga këndi me të cilin shkrimtari e shikon jetën pra shkrimtari është luftëtar i pendës, i cili me armën e tij të fuqishme mban qëndrim aktiv progresiv militant me një qëllim e objektiv të caktuar. Flas gjithmonë për shkrimtarin përparimtar. Për shkrimtarin trashëgimtar që në rrjedhën e shekujve ka mbrojtur anën progresive, traditat e vendit të popujve të shtypur kundër forcave regresive. Shkrimtarin që me armën e tij të fuqishme ka mbrojtur lëvizjen patriotike, për lirinë dhe pavarësinë e atdheut. Për shkrimtarin që ka mbrojtur kulturën kundër obskurantizmit, pasojë e pushtimeve dhe e shtypjes që mbante në këmbë paditurinë. Për shkrimtarin që është vënë në shërbim të luftës së kulturuar dhe në formimin e njeriut parimor. Qëndrimin që mban shkrimtari ndaj personazheve, ndaj problemeve, ndaj marrëdhënieve shoqërore, ideve dhe perspektivës. Të gjitha këto përcaktojnë përmbajtjen ideologjike, rolin pozitiv që luan ai, si njeri përparimtar. Mendimi që e përshkon veprën, qëllimi që mbron ai, përcaktojnë pikëpamjet e tij politike. Kjo arrihet, bëhet e dobishme në sajë të gjuhës së shkruar, të gjuhës amtare, si mjet komunikues midis njerëzve.
Shkrimtari, si luftëtar i pendës, lufton për gjithçka është në dobi të njerëzimit, duke filluar nga atdheu i tij. Vepra e tij është pasqyrë e realitetit shoqëror. Sa më afër interesave patriotike dhe shoqërore, sa më i gjerë dhe i thellë horizonti i tij dhe njohja e jetës, sa më e fuqishme të jetë ideja emocionale, aq më shumë ndikon ai në njerëzit, për ecjen e tyre përpara. Letërsia, duke mbrojtur njerinë e punës, lot një rol pozitiv në jetën e individit, si qenie shoqërore, në lidhje me interesat e përbashkëta kombëtare dhe progresin shoqëror. Pra, letërsia përmbledh gjithë rregullat letrare dhe njohurinë e veprave të gjinisë së saj. Estetika, si teori e së bukurës, të dobishmes, me anën e artit bën përpjekje për të pasqyruar realitetin objektiv shoqëror sa më të gjallë dhe sa më parimor.