1
1
Një politikë pa kulturë prodhon administratë. Një kulturë pa politikë prodhon energji të shpërndarë dhe iniciativa të izoluara. Vetëm kur politika dhe kultura ndërtohen si një projekt i përbashkët mund të lindë një strategji kombëtare që i reziston kohës
Nga Avni Halimi
Një popull mund të humbasë zgjedhjet dhe t’i fitojë përsëri. Mund të mbetet për një kohë jashtë pushtetit dhe ta rikthejë atë në një cikël tjetër politik. Por në çastin kur humbet vizionin kulturor, fillon të humbasë kujtesën, identitetin dhe arsyen pse kërkon pushtet. Pikërisht këtu qëndron një nga dobësitë më të mëdha të politikës shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Për vite me radhë, kultura është trajtuar si një rubrikë dytësore në programet politike të partive shqiptare. Në të gjitha partitë shqiptare, pa përjashtim. Kultura është përmendur sa për të plotësuar një kapitull zgjedhor, është reduktuar deri në mbështetje të ndonjë manifestimi, festivali apo aktiviteti tradicional dhe, në rastet më të mira, është lidhur me ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Por asnjëherë deri më sot nuk është konceptuar si një politikë publike mbi të cilën ndërtohet identiteti kulturor i shqiptarëve në këtë shtet. Dhe ky nuk është thjesht një lëshim programor. Është një mungesë vizioni.
Kultura nuk është dekor i jetës publike dhe as luks që i shtohet politikës pasi të jenë zgjidhur problemet e tjera. Përkundrazi, ajo është infrastruktura shpirtërore e një kombi. Nëpërmjet saj ndërtohet kujtesa kolektive, forcohet vetëdija historike, ruhet gjuha, krijohen simbolet e përbashkëta dhe sigurohet vazhdimësia e identitetit. Pikërisht për këtë arsye, çdo politikë serioze që pretendon të përfaqësojë një komunitet kombëtar duhet ta vendosë kulturën në zemër të projektit të vet politik.
Kur kultura nuk konceptohet si politikë publike, identiteti mbetet i ekspozuar ndaj improvizimit. Institucionet veprojnë pa një drejtim të përbashkët, projektet varen nga vullneti individual, ndërsa zhvillimi kulturor reduktohet në nisma të rastësishme që fillojnë dhe përfundojnë bashkë me mandatet politike. Në këto rrethana nuk ndërtohet një sistem kulturor; ndërtohet vetëm administrimi i përkohshëm i kulturës.
Pikërisht ky është paradoksi me të cilin përballet sot përfaqësimi politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Nga njëra anë, me të drejtë kërkohet zgjerimi i të drejtave politike, institucionalizimi i barazisë dhe përfaqësimi i denjë në institucionet shtetërore. Nga ana tjetër, mungon ende një platformë e qartë dhe koherente që ta trajtojë kulturën si pjesë organike të këtij projekti politik. Për pasojë, kultura mbetet e nënkuptuar, por jo e menduar; e administruar, por jo e projektuar; e pranishme në fjalime, por pothuajse e munguar në vizion.
Nuk janë të rralla rastet kur edhe njerëz me përvojë të gjatë në jetën kulturore, të vendosur përballë përgjegjësive institucionale, zbulojnë se nuk ekziston një platformë kombëtare mbi të cilën mund të mbështeten. Problemi nuk është mungesa e individëve. Problemi është mungesa e një arkitekture kulturore, e një dokumenti programor që të përcaktojë objektivat, institucionet, prioritetet dhe drejtimin afatgjatë të zhvillimit kulturor shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Kjo është arsyeja pse politika kulturore nuk mund të vazhdojë të mbetet një shtojcë teknike e programeve partiake. Ajo duhet të shndërrohet në një nga shtyllat themelore të tyre, në të njëjtin nivel me arsimin, zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale dhe përfaqësimin politik. Sepse kultura nuk është vetëm një sektor që kërkon financim; ajo është mekanizmi përmes të cilit një shoqëri prodhon vetëdijen për veten dhe ndërton vazhdimësinë e saj historike.
Çdo projekt serioz politik fillon duke përcaktuar themelet mbi të cilat dëshiron të ndërtojë të ardhmen. Për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, njëri prej këtyre themeleve nuk mund të jetë tjetër veç kulturës. Jo kulturës së ceremonive, festivaleve dhe protokolleve, por kulturës si sistem institucionesh, si politikë publike dhe si mekanizëm që prodhon kujtesë, identitet dhe vetëdije kombëtare. Pikërisht mbi këtë parim do të ndërtohet një seri shkrimesh.
Një politikë pa kulturë prodhon administratë. Një kulturë pa politikë prodhon energji të shpërndarë dhe iniciativa të izoluara. Vetëm kur politika dhe kultura ndërtohen si një projekt i përbashkët mund të lindë një strategji kombëtare që i reziston kohës. Vetëm atëherë institucionet nuk do të jenë më zyra që administrojnë aktivitete, por mekanizma që ndërtojnë kujtesë, identitet dhe vazhdimësi historike.