Sorting by

×

Popular Posts

Keqkuptimi i madh i kulturës

Pse programet politike të partive shqiptare në RMV vazhdojnë ta trajtojnë kulturën si një kapitull dytësor, apo edhe mos ta trajtojnë fare

Nga Avni Halimi

Krizat më të rrezikshme shoqërore nuk lindin çdoherë nga mungesa e mjeteve, e institucioneve apo e njerëzve. Ato lindin në çastin kur keqkuptohet vetë natyra e problemit. Pikërisht këtu fillon edhe kriza e politikës kulturore shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Nuk është mungesa e aktiviteteve ajo që e ka dobësuar kulturën shqiptare, por mënyra se si është menduar dhe trajtuar ajo në politikë, qoftë në atë maqedonase, qoftë në atë shqiptare.

Për shumë vite, shqiptarët kulturën e kanë parë si një sektor administrativ, si një rubrikë protokollare në programet zgjedhore ose si një listë aktivitetesh që duhen financuar gjatë vitit. Në rastin më të mirë, ajo është reduktuar në organizimin e manifestimeve, festivaleve, jubileve dhe ceremonive përkujtimore. Kjo qasje ka krijuar përshtypjen se një politikë kulturore matet me numrin e ngjarjeve që organizohen dhe jo me aftësinë për të ndërtuar institucione, për të prodhuar ide dhe për të garantuar vazhdimësinë e identitetit kulturor.

Pikërisht këtu qëndron keqkuptimi i madh. Politika kulturore nuk është administrimi i kulturës. Administrimi organizon kalendarin; politika ndërton historinë. Administrimi shpërndan buxhete; politika përcakton përparësitë. Administrimi kujdeset për funksionimin e institucioneve; politika krijon institucionet që i duhen një kombi për të ruajtur kujtesën e tij, për të zhvilluar krijimtarinë dhe për të projektuar identitetin e vet në të ardhmen.

Kur ky dallim humbet, kultura fillon të jetojë nga një aktivitet te tjetri, nga një mandat politik te tjetri, nga një buxhet te tjetri. Ajo mbetet gjithmonë në lëvizje, por rrallëherë ecën përpara. Aktivitetet shtohen, kalendari mbushet, raportet institucionale pasurohen me statistika, por pas gjithë këtij dinamizmi mbetet e njëjta zbrazëti: mungesa e një vizioni që t’u japë kuptim dhe drejtim të gjitha këtyre përpjekjeve.

Pasoja e këtij keqkuptimi nuk është vetëm organizative. Ajo është identitare. Një kulturë që nuk mbështetet mbi një politikë të menduar zhvillohet në mënyrë spontane. Institucionet veprojnë secila sipas logjikës së vet, projektet varen nga energjia e individëve, ndërsa mbështetja publike shpërndahet sipas rastit dhe jo sipas një strategjie. Në vend që të krijohet një sistem, krijohet një mozaik nismash të izoluara, të cilat shpesh nuk komunikojnë me njëra-tjetrën dhe nuk ndërtojnë vazhdimësi.

Kështu, edhe institucionet kulturore humbasin boshtin e tyre. Ato bashkëjetojnë, por nuk bashkëveprojnë. Secila prodhon aktivitetet e veta, secila lufton për buxhetin e vet, secila përpiqet të mbijetojë brenda kufijve të saj administrativë. Mungon një qendër graviteti që t’i lidhë në një projekt të përbashkët kulturor. Prandaj kultura shqiptare nuk funksionon si një organizëm me vizion të përbashkët, por si një bashkësi strukturash që ekzistojnë pranë njëra-tjetrës pa ndërtuar një sistem.

Ky është edhe shpjegimi pse programet politike të partive shqiptare vazhdojnë ta trajtojnë kulturën si një kapitull dytësor, apo edhe mos ta trajtojnë fare. Ajo zakonisht vendoset pranë arsimit, rinisë, sportit ose trashëgimisë kulturore, pa objektiva të qarta, pa institucione të projektuara, pa mekanizma zhvillimi dhe pa një filozofi që ta shohë kulturën si pjesë të projektit kombëtar. Në këtë mënyrë, kultura nuk mungon në programet politike; mungon mënyra e të menduarit për të.

Pa dyshim, problemi nuk është se shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut organizojnë pak veprimtari kulturore. Përkundrazi, aktivitetet janë “të shumta” dhe, në shumë raste, me vlera të padiskutueshme. Problemi është se ato nuk lidhen nga një ide e përbashkët dhe nuk mbështeten mbi një arkitekturë institucionale që t’u japë vazhdimësi. Një komb nuk ndërton politikë kulturore duke mbushur kalendarin me manifestime. Ai e ndërton atë duke krijuar institucione që i mbijetojnë qeverive, strategji që i mbijetojnë mandateve dhe një vizion që i mbijeton brezave.

Vetëm atëherë kultura pushon së qeni një sektor që administrohet dhe bëhet ajo që duhet të jetë në të vërtetë: një nga themelet mbi të cilat ndërtohet vetëdija historike, identiteti kombëtar dhe e ardhmja e një shoqërie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *