1
1
Seanca gjyqësore për rastin e Masakrës së Reçakut nuk u mbajt, pasi dështoi të nisë për shkak të mungesës së katër avokatëve mbrojtës. Arsyeja ishte se Oda e Avokatëve nuk kishte caktuar avokatë sipas detyrës zyrtare për të akuzuarit.
Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra konstatoi se disa prej avokatëve të të akuzuarve, nuk janë pajisur me shkresa të lëndës, andaj në mungesë të kushteve ligjore, seanca shtyhet.
Po ashtu, ajo ka theksuar se për katër të akuzuar mungojnë avokatët, konkretisht për të akuzuarit Zoran Stanojeviq, Milan Josanoviq, Goran Petkoviq dhe Dragoslav Nikoliq.
Sipas gjykatëses, Oda e Avokatëve të Kosovës nuk e ka njoftuar Gjykatën se cilët avokatë janë të autorizuar për këta katër të akuzuar.
Prokurori special, Ilir Morina tha se Prokuroria ka bërë përpjekje të marrë informacione se cilët janë avokatët e caktuar ex officio nga Oda e Avokatëve të Kosovës, duke kërkuar përmes e-mailit listën e tyre, në mënyrë që të pajisen me shkresa të lëndës.
Morina tha se vetëm 10 avokatë janë paraqitur në Prokurori për t’u pajisur me shkresa të lëndës, andaj ftoi avokatët që nuk janë paraqitur për t’i marrë shkresat e lëndës pas përfundimit të seancës.
Disa nga avokatët që ishin të pranishëm në gjykatë deklaruan se ishin njoftuar nga Oda e Avokatëve vetëm për datën e seancës dhe se duhej të paraqiteshin sipas detyrës zyrtare, por nuk ishin informuar se për cilin rast bëhej fjalë.
Për shkak të këtyre rrethanave, gjykata e shtyu shqyrtimin, ndërsa seanca e radhës është caktuar të mbahet më 31 korrik.