Sorting by

×

Popular Posts

AK-47, revole dhe të shtëna në ahengje, policia konfiskon disa armë

Armëmbajtja pa leje dhe përdorimi i armëve të zjarrit vazhdojnë të mbeten një fenomen shqetësues në Kosovë. Raporti i fundit 24-orësh i Policisë së Kosovës evidenton pesë raste të ndara në komuna të ndryshme të vendit, ku janë sekuestruar armë, fishekë e gëzhoja, ndërsa disa persona janë arrestuar ose proceduar.

Rasti më i rëndë është raportuar në Lipjan, ku një person dyshohet se ka plagosur veten me armë zjarri. Sipas Policisë, i dyshuari është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor, ndërsa në vendin e ngjarjes është sekuestruar një pistoletë me dy fishekë. Hetimet për rastin janë në vazhdim.

Në Gjilan, gjatë kontrollit të një shtëpie, policia gjeti dhe sekuestroi një armë automatike të tipit AK-47. I dyshuari u shoqërua në stacionin policor, ndërsa me vendim të prokurorit u lirua në procedurë të rregullt.

Një tjetër rast u regjistrua në Klinë, ku dy persona u arrestuan pasi dyshohet se kishin shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar. Policia konfiskoi dy pistoleta, njëra prej tyre me gaz, 55 fishekë dhe tetë gëzhoja. Pas intervistimit, të dyshuarit u liruan në procedurë të rregullt.

Në Malishevë, një qytetar raportoi se një person, duke lëvizur me veturë, kishte shtënë tri herë në ajër me armë zjarri dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Në vendngjarje policia gjeti dhe sekuestroi katër gëzhoja, të cilat dyshohet se i përkasin një arme me gaz. Rasti mbetet nën hetime.

Ndërkaq, në Rahovec, hetuesit identifikuan një person të dyshuar për përdorim të armës në një rast të ndodhur më 1 gusht. Gjatë hetimeve u sekuestruan 11 gëzhoja, ndërsa nga i dyshuari u konfiskua një pistoletë me dy karikatorë, e cila rezultoi të ishte me leje. Pas intervistimit, ai u lirua në procedurë të rregullt.

Rastet e vazhdueshme të përdorimit dhe posedimit të armëve, përfshirë edhe të shtënat në ahengje familjare apo në vende publike, vazhdojnë të ngrenë shqetësime për sigurinë publike dhe nevojën për kontrolle më të rrepta ndaj armëve në qarkullim.

Ndryshe armëmbajtja pa leje vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore të sigurisë publike në Kosovë. Sipas vlerësimeve të institucioneve dhe organizatave që merren me çështjet e sigurisë, në duart e qytetarëve qarkullojnë rreth 230 mijë deri në 260 mijë armë pa leje, ose afërsisht një armë për çdo shtatë banorë.

Policia e Kosovës, ndërkaq konfiskon mesatarisht nga 1,200 deri në 1,500 armë ilegale në vit, si dhe mijëra copë municion. Megjithatë, numri i armëve që mbeten jashtë kontrollit të institucioneve vazhdon të konsiderohet i lartë.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës parashikon dënime për posedimin e paautorizuar të armëve, duke përfshirë gjoba deri në 7,500 euro dhe dënime me burg deri në pesë vjet. Në rastet kur një person kapet me më shumë se katër armë ose mbi 400 fishekë, dënimi mund të arrijë nga dy deri në dhjetë vjet burg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *