1
1
Bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi jugperëndimin e Japonisë ka shkuar në 13 persona të vdekur, ka njoftuar kryeministrja japoneze Sanae Takaichi.
“Janë konfirmuar viktima, shembje ndërtesash, zjarre dhe dëmtime të rrugëve”, ka deklaruar Takaichi para gazetarëve, duke bërë të ditur se ekipet e emergjencës po vazhdojnë kërkimet për personat e zhdukur.
Qindra persona kanë mbetur të lënduar, ndërsa disa të tjerë rezultojnë ende të zhdukur pas shembjes së një qendre tregtare dhe dëmtimit të një fabrike letre.
Sipas autoriteteve japoneze, më shumë se 9 mijë persona janë strehuar në qendra të përkohshme të emergjencës në pesë prefektura, përfshirë Kumamoton dhe Fukukokën.
Zëdhënësi i qeverisë japoneze, Minoru Kihara, ka bërë të ditur se deri të mërkurën në mëngjes janë raportuar shtatë persona me lëndime të rënda dhe 29 me lëndime më të lehta.
Rreth 170 lëkundje pas tërmetit kryesor
Agjencia Meteorologjike e Japonisë ka njoftuar se pas tërmetit kryesor janë regjistruar rreth 170 lëkundje të tjera në zonën e Kumamotos.
Sipas ekspertëve, aktiviteti sizmik është përqendruar në një zonë prej rreth 50 kilometrash mes pjesës së brendshme të Kumamotos dhe Detit Yatsushiro.
Autoritetet kanë paralajmëruar se gjatë javës së ardhshme nuk përjashtohet mundësia e një tjetër tërmeti të fuqishëm, me intensitet që mund të afrohet me nivelin maksimal të shkallës japoneze të matjes së tërmeteve.
Probleme në transport
Tërmeti ka shkaktuar ndërprerje të transportit në rajonin e prekur. Kompania hekurudhore JR Kyushu ka pezulluar përkohësisht qarkullimin e trenave të shpejtësisë së lartë Shinkansen në ishullin Kyushu, për të kontrolluar gjendjen e binarëve dhe infrastrukturës.
Për shkak të ndërprerjes së lidhjeve hekurudhore, kompania ajrore Japan Airlines ka njoftuar se ka shtuar fluturime të posaçme mes aeroporteve të Fukukokës dhe Kagoshimas.
Epiqendra e tërmetit ndodhet pranë thyerjes sizmike Hinagu, në të njëjtën zonë ku në vitin 2016 u regjistruan tërmete të fuqishme me magnitudë 7.