Lokomotiva ekonomike e Europës, Gjermania, shkon të dielën në zgjedhje për kancelarin e ri të vendit, i cili do të pasojë mandatin jo të plotë të Olaf Scholz, në qeverinë e brishtë tre partiake. Ky i fundit është sërish në garë, duke kërkuar edhe një shans të dytë për t’u zgjedhur.
Sipas sondazheve, një ditë përpara votimeve, në vend të parë qëndron Aleanca Konservatore e Friderich Merz, e ndjekur nga partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, dhe në vend të tretë qëndrojnë socialdemokratët e kancelarit Scholz.
Ndër çështjet më kryesore që janë diskutuar dhe premtuar në javët e fundit janë emigracioni, ekonomia dhe financat, politika e jashtme dhe ndryshimet klimatike.
Fushata është shoqëruar me tensione dhe shqetësime për shkak të mbështetjes dhe rritjes që pritet të shënojë për herë të parë e djathta ekstreme në Gjermani. Megjithëse nuk pritet të dalë parti e parë, AFD do të shënojë rritje të ndjeshme, duke pasur kështu një rol për një koalicion të mundshëm.
AFD është mbështetur hapur nga miliarderi amerikan Elon Musk, i cili ishte krahu i djathtë i presidentit amerikan Donald Trump gjatë fushatës së tij, por gjithashtu ka ndikim të madh në teknologji dhe rrjete sociale.
Përfshirja e drejtpërdrejtë e Musk bëri që të lindte një mollë sherri mes Berlinit, i cili e akuzoi për ndërhyrje, dhe Uashingtonit, i cili ka vënë në shënjestër Europën për mungesën e lirisë së fjalës.