Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka refuzuar kërkesën e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirie, që ta vizitojë sot Patriarkanën e Pejës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Lidhur me kërkesën e Patriarkut tё Kishёs Ortodokse Serbe, Porfirie, për të vizituar Patriarkanën e Pejës më 13.05.2024, ju njoftojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka refuzuar këtë kërkesë.”
MPJD thotë se nuk do të lejohen vizitat e tyre përderisa Serbia nuk i lejon vizitat e zyrtarëve shtetërorë në Serbi dhe nuk ndalet me fushata kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Përderisa Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve tanë shtetërorë në Serbi dhe për më tepër të mos ndalet me fushata kundër Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si në proceset integruese ashtu edhe ato të njohjes, të vazhdojë të përdorë gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime kundër Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të saj, nuk do të lejohen vizitat as nga ana jonë.”
Ministria e udhëhequr nga Donika Gërvalla- Schwarz shton se Serbia ka krijuar grup ministror për të shkelur marrëveshjen bazike dhe për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në KiE.
“Ashtu siç dihet, Serbia ka krijuar grup ministror për ta shkelur marrëveshjen bazike dhe për të penguar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës dhe përderisa vazhdon me këtë qasje dhe luftë me çdo mjet kundër Kosovës nuk do këtë aprovim te vizitave të tilla.”
MPJD thotë se “inkurajojnë” Serbinë që të zbatojë marrëveshjen bazike dhe të veprojë me reciprocitet në raport me Kosovën dhe vizitat e ndërsjella.
“Ne inkurajojmë Serbinë që të zbatojë marrëveshjen bazike dhe të veprojë me reciprocitet në raport me Kosovën dhe vizitat e ndërsjella.”