Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka njoftuar se dje ka pranuar vendimin e Qeverisë së Turqisë për ndarjen e 1 milion dollarëve amerikanë si donacion për FSK-në.
Maqedonci ka shkruar në Facebook, se ky donacion është për ngritjen e kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Dje zyrtarisht kemi pranuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Turqisë e cila ka ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, 31 milionë lira apo rreth 1 milion dollarë amerikanë donacion për ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së. Ky donacion është pjesë e programit të mbështetjes të jashtme ushtarake të qeverisë turke”, ka shkruar Maqedonci.
Ministri tutje ka shtuar se marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë qenë gjithnjë në nivelet më të larta dhe kontributi i Republikës së Turqisë në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka qenë i vazhdueshëm si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të pajisjeve ushtarake.
“Falënderoj Republikën e Turqisë për donacionin dhe sigurojë që bashkëpunimi ynë i ndërtuar në frymën e besimit të dyanshëm, do të vazhdojë edhe në vitet në vijim. Turqia si shtet mik mbetet njëri nga partnerët strategjik më të rëndësishëm për Republikën e Kosovës”, ka shkruar Maqedonci.