Inspektorati Policor i Kosovës lidhur me rastin e vrasjes në Ferizaj i cili është raportuar mbrëmjen e së premtes, njofton se është arrestuar edhe një i dyshuar.
Sipas IPK-së të dyshuarit të arrestuar me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit për bashkëkryerje të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Vrasja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në parkingun e një salle dasmash në fshatin Bibaj të Ferizajt.
Policia ka njoftuar se një person në moshë të shtyrë është vrarë nga i dyshuari që është zyrtar policor.
Nga dyshimet e para Policia tha se kjo vrasje “nuk ishte aksidentale, por e qëllimshme”.
Prokuroria e Ferizajt duke njoftuar për rastin tha se i dyshuari për vrasje është zyrtar policor dhe i njëjti me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh.
“Rreth orës 19:30 në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, në parkingun e sallës së dasmave “Fron Palace”, ka ndodhur një rast i vrasjes dhe një person ka ndërruar jetë”, ka njoftuar Prokuroria e Ferizajt.
Hetuesit Rajonal të Policisë së Kosovës në Ferizaj në koordinim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj Shukri Jashari dhe prokurorin kujdestar kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e viktimës.
Nga Prokuroria e Ferizajt kanë deklaruar se për momentin motivet e ngjarjes nuk dihen derisa zyrtari policor i dyshuar për vrasjen është dorëzuar vetë tek autoritetet.
Derisa hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) janë njoftuar nga Policia e Kosovës për një rast të gjuajtjes me armë zjarri në Ferizaj e ku dyshohej se ishte përfshirë edhe një zyrtar policor.
Me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes së bashku me shumë njësi të tjera policore si dhe prokurorin kujdestar.
Bazuar në informacionet fillestare dyshohet se zyrtari policor i dyshuar në këtë rast kishte shkuar në këtë lokacion dhe ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës i cili si pasojë e lëndimeve të pësuara ka ndërruar jetë.