Thellohet skandali për kompanitë e Drin Ahmetit

Kompania e Drin dhe Besian Ahmetit e cila ka shfrytëzuar guroren e Kërçovës me koncesion për 8 vite ka fshehur obligimet financiare me vlerë rreth 30 mijë euro. Sipas kallëzimit penal deri tek i cili ka arritur Alsat, mësohet se kompania “Everest JD” vlera e të cilës në koncesion arrin deri në 5 milionë euro ka deklaruar më pak gërmime me çka i ka mundësuar vetes deklarimin më të vogël të vlerës së kompensimit në koncesion. E gjithë kjo është mundësuar përmes disa punonjësve në Ministrinë e Ekonomisë e cila është dashur të mban llogari për zbatimin e marrëveshjes, ndërsa Inspektorati shtetërorë për inspektim teknik nuk ka bërë mbikëqyrjen e duhur. Të punësuarit në ministri dhe dy prej tyre në inspektorat janë gjithashtu të dyshuar. Detaje për këtë rast sot zbardhi edhe VMRO DPMNE-ja.

“Kjo nuk do të ishte e mundur pa personat të cilët tani janë në cilësinë e të dyshuarve dhe janë të punësuar në Ministrinë e Ekonomisë nën kompetencat e Kreshnik Bekteshit. Kjo kompani e Ahmetit licencën për lëndë minerale e ka fituar në vitin 2005, në kohën e Qeverisë LSDM-BDI. 11 vjet më pas, përsëri në kohën e LSDM-BDI-së kompania e njëjtë për shfrytëzimin e lëndëve të para minerale ka fituar tenderë nga Ministria e Ekonomisë me të cilën ka udhëhequr kuadër i BDI-së, pa deklaruar sasisë e gërmimeve duke krijuar kështu mundësi për vete që të paguajë më pak kompensim”, deklaroi Mile Lefkov, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Nën llupën e organeve hetuese jo zyrtarisht mësohet se janë edhe kompanitë e tjera të Drin Ahmetit. “Thor Induestries” aktualisht posedon koncesion gjithashtu për gurore (për tampon) dhe hidrocentrale. Marrëveshja për këtë të fundit e marrë nga Ministria e Ekologjisë përfshinë gjithsej 27 hidrocentrale, e fundit prej tyre e arritur në vitin 2019 për hidrocentrale në Baçishka Çeshma në malin Bistra. Gjithashtu kompania “Potam Plan” që rezulton në emrin e Drin Ahmetit në vitin 2022 ka fituar projekt hidroenergjetik në vlerë investimi prej 400 mijë euro. Drin Ahmeti rezulton pronarë i katër kompanive. Vetëm vlera e “Thor Industries” dhe “Everest JD” arrin rreth 8 milionë euro. Dyja kompanitë në vitin 2023 ishin refuzuar nga Komiteti për miratimin e investimeve gjatë aplikimit për shfrytëzimin e granteve për zhvillim teknologjik dhe ngritje ekonomike të përshpejtuar. Në vitin 2023 “Everest JD” fitoi edhe tenderë në vlerë prej 3,5 milion denarëve nga Elektranët e Maqedonisë. “Everest JD” nën përfaqësimin e Besian Ahmetit tenderin për koncesionin mbi eksploatimin e lëndëve të para minerale në Bukoviq të Kërçovës e kishte fituar në vitin 2014 më kohëzgjatje deri në vitin 2026 me mundësi vazhdimi edhe njëherë për 20 vite të tjera. /Alsat.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *