Ish-lideri separatist i Katalonjës, Puxhdemon, u rikthye në Spanjë pas shtatë vjetëve në mërgim, dhe mori pjesë në një tubim në Barcelonë, duke e shtyrë policinë spanjolle ta nisë një kërkim të madh për kapjen e tij. Me gjithë praninë e madhe policore, Puxhdemon foli para mijëra ndjekësve të vet në kryeqytetin katalonas në afërsi të Parlamentit katalonas, duke u thënë atyre se synon ta ringjallë përpjekjen për pavarësi, e cila e kishte zhytur Spanjën në krizë politike më 2017. “Ata mendonin se do ta festonin arrestimin tim dhe mendonin se ky ndëshkim do të na dekurajonte neve dhe juve. Epo, gabuan”, tha ai. Pasi e përfundoi fjalimin, Puxhdemont doli mbrapa skenës, dhe policia e mediat nuk ishin në gjendje ta gjenin vendndodhjen e tij më. Puxhdemont, 61 vjeç, iku në Belgjikë para shtatë vjetëve, pas përpjekjes së dështuar për ndarjen e Katalonjës nga Spanja. Ai ka jetuar në Belgjikë prej atëherë. Në Katalonjë, më 1 tetor të vitit 2017, u mbajt një referendum, në të cilin shumica e atyre që morën pjesë, votuan për pavarësi nga Spanja. Parlamenti në Barcelonë më pas e e shpalli rajonin autonom republikë të pavarur. Megjithatë, në referendum pjesëmarrja ka qenë e ulët dhe ai është shpallur i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese e Spanjës.