Spanja do t’i kërkojë gjykatës së Kombeve të Bashkuara leje për t’iu bashkuar çështjes së Afrikës së Jugut që akuzon Izraelin për gjenocid në Gaza, njoftoi të enjten ministri i saj i jashtëm, raporton AP.
Spanja është vendi i parë evropian që ndërmerr këtë hap pasi Afrika e Jugut paraqiti çështjen e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në fund të vitit të kaluar ku pretendon se Izraeli po shkelte konventën e gjenocidit në sulmin ushtarak që ka shkatërruar një pjesë të madhe të Gazës.
Meksika, Kolumbia, Nikaragua, Libia dhe palestinezët kanë kërkuar tashmë t’i bashkohen çështjes.
Gjykata ka urdhëruar Izraelin të ndalojë menjëherë ofensivën e tij ushtarake në qytetin jugor të Gazës, Rafah, por nuk urdhëroi një armëpushim për enklavën. Izraeli nuk e ka respektuar.
“Ne e marrim vendimin për shkak të operacionit ushtarak në vazhdim në Gaza”, tha ministri i Jashtëm spanjoll José Manuel Albares. Duam që paqja të kthehet në Gaza dhe në Lindjen e Mesme, dhe që kjo të ndodhë, ne të gjithë duhet të mbështesim gjykatën”, theksoi ai.