Para vjeshtës nuk pritet të ngrihet ndonjë aktakuzë për rastin e sulmit në Banjskë, thonë burime të Radios Evropa e Lirë në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Në atë kohë do të bëhet një vit që kur grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në këtë fshat në veri, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi.
Hetime, paralelisht, është duke kryer edhe Prokuroria e Lartë Publike në Beograd.
Deri ku mbërritën hetimet në Kosovë?
Burimet e Radios Evropa e Lirë në Prokurorinë Speciale të Kosovës thonë se “punët rreth rastit janë në fazën finale” dhe se “hetimet në rastin e Radoiçiqit kanë marrë epilogun përfundimtar”.
“Pas përfundimit dhe ekzaminimit të disa raporteve periferike, do të procedohet tutje”, thonë ato.
Hollësi të tjera nuk japin, pos që aktakuza nuk pritet të ngrihet para vjeshtës.
Ndërsa Radoiçiq besohet të jetë i lirë në Serbi, në Kosovë janë të ndaluar tre persona në lidhje me rastin.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili monitoron sistemin e drejtësisë në vend, thonë se Prokuroria Speciale është brenda afatit ligjor për kompletimin e aktakuzës, pasi me ndryshimet e fundit ligjore, periudha e paraparë për përfundimin e hetimeve dhe ngritjen e aktakuzës mund të shkojë deri në tre vjet, nga dy vjet e gjysmë sa ishte më herët.
Sipas IKD-së, Prokuroria ka para vetes një numër të konsiderueshëm të provave materiale dhe të të dyshuarve për sulmin.
“Fakti që [sulmi] ka ndodhur para rreth nëntë muajsh, nuk nënkupton që, me doemos, Prokuroria të ngutet në veprimet e saj dhe të dorëzojë një aktakuzë më pak cilësore. Periudha kohore prej tre vjetësh, që ka në dispozicion, duhet të shërbejë për të pasur një aktakuzë sa më cilësore dhe mirë të provuar – nëpërmjet provave materiale dhe atyre personale”, thonë në IKD.
Nga ky institut, megjithatë, theksojnë se Prokuroria duhet ta njoftojë më shumë opinionin për rrjedhën e hetimeve – “pa i dëmtuar ato, të tregohet se deri ku kanë mbërritur”.
Radio Evropa e Lirë kërkoi komente për këtë temë edhe nga ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, por ajo nuk u përgjigj.
Në fund të vitit të kaluar, në bazë të një kërkese të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për Radoiçiqin.
Deri ku mbërritën hetimet në Serbi?
Se ku saktësisht ndodhet Radoiçiq, nuk është e qartë, por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha pas sulmit se ai gjendet në “territorin e Serbisë qendrore”.
Autoritetet shtetërore në këtë vend i hodhën poshtë akuzat e bëra nga udhëheqësit e Kosovës se ato qëndrojnë prapa “sulmit terrorist” të 24 shtatorit në Banjskë.
Radoiçiq e mori përgjegjësinë për atë sulm më 29 shtator, përmes avokatit të tij.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd e ngarkon atë me disa vepra penale që kanë të bëjnë me blerje të paligjshme të armëve dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Në fillim të tetorit, Gjykata e Lartë në Beograd e refuzoi kërkesën e Prokurorisë për ndalimin e tij dhe e la të lirë, por ia konfiskoi pasaportën dhe ia ndaloi shkuarjen në Kosovë.
E kontaktuar më 15 korrik nga Radio Evropa e Lirë, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se “hetimet janë duke vazhduar”.
“Në këto hetime, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd bashkëpunon me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Drejtorinë Doganore dhe organet tjera shtetërore të Republikës së Serbisë, ndërsa për të konstatuar gjendjen e plotë faktike – përmes Ministrisë së Drejtësisë – ka kontaktuar edhe EULEX-in [Misionin e BE-së për sundim të ligjit në Kosovë]”.
“Nga EULEX-i është kërkuar dokumentacion lidhur me ngjarjen kritike të 24 shtatorit 2023, në Banjskë. Dokumentacioni, deri më sot, nuk është dorëzuar”, thuhet në deklaratë.