Kur një organizatë “prestigjioz” të përzgjedh për anëtarë të rregullt, ndërsa vetë nuk je as me përgatitje profesionale, as me aftësi komunikuese-gjuhësore dhe as me ndonjë famë që shtrihet përtej mëhallës, atëherë, kjo përzgjedhje bëhet ekskluzivisht në shenjë mirënjohje për ndonjë shërbim që ke kryer! Cili është shërbimi i Shaqir Fetait që ka kryer për Rabita-n?!
Nga Rasim Ismaili
Është paralajmëruar më herët se, “reisi” i dhunshëm, i instaluar në krye të BFI-së nga organet shtetërore antiislame e antishqptare, do të përzgjidhet si anëtar i Këshillit të lartë për çështje të jurisprudencës islame të Ligës botërore islame – RABITA! Pra, Rabita është një organizatë islame në kuadër të së cilës veprojnë disa sektore, pra, edhe ky Këshill ku qenka anëtarësuar Shaqir Fetai!
Më i lumturi për këtë anëtarësim na paska qenë puleni i Shaqir Fetait, njeriu më i dyshimtë i punësuar në BFI me intervenim të njerëzve të dyshimtë (të shërbimeve sekrete, këtë e dëshmon punëdhënësi i tij, Sulejman ef. Rexhepi). Ky farë puleni shpreh gëzimin e vet në këtë formë: “Urime haxhi Reis për përzgjedhjen e juaj anëtarë i Akademisë së Jurisprudencës Islame tek RABITA- Liga Botërore islame, kjo është hera e parë që RABITA zgjedh një Reis të jet anêtarë i Akademisë sê Jurisprudencës Islame.”
Shaqir Fetai nuk ka lidhje me Jurisprudencën islame! Shaqir Fetai nuk ka lidhje me gjuhën arabe! Shaqir Fetai nuk ka lidhje me botën akademike, sepse, më tepër është “profesor autodidakt”, se sa që është ndonjë alim i njohur, madje edhe titullin “profesor medreseje” e ka dhuratë nga ish-resi i tij, të cilit ia nguli thikën pas shpine.
Shaqir Fetai nuk është shquar me asnjë fetva, Shaqir Fetai nuk ka bërë ndonjë emër që do ta dallonte nga një duzinë profesorësh e akademikësh teologë që janë nja një milion vite larg intelegjencës së Shaqir Fetait!
Mbi të gjitha, Shaqir Fetai, akoma nuk po ia del të shpëlahet nga e kaluara e tij e dyshimtë, për të cilën u publikuan dokumenta e deklarata që flasin për angazhimin e tij nëpër shërbime të huaja e, mbi të gjitha, antinjerëzore.
Atëherë, si i bëhet që Shaqir Fetai, deri më sot na qenka i vetmi “reis” që na qenkësh përfshirë si anëtarë i një Këshiilli aq prestigjioz, në të cilin kontributi i Shaqir Fetait nuk mund ta kalojë vlerën e zero-s!
Çka e dalloi, cila vlerë intelektuale, profesionale e karrieriste e dalloi Shaqir Fetain sa që e detyroi RABITA-n ta përzgjedh si “reis të parin” në Këshillin e Jurisprudencës Islame? A mos na qenka reis i paparë, trim, intektualisht i guxmshëm, tradicionalist në qëndrime islame, a mos e dënoi sulmin izraelit mbi Palestinën, a mos si “reis” ofroi zgjidhje të kënaqshme të problemeve të ndryshme në botën islame? Çka është ajo që e tronditi botën turko-arabe dhe, përgjithësisht, islame, saqë RABITA qe detyrimisht e obliguar që ta anëtarësojë Shaqir Fetain, këtë farë bereqeti rusofil, në një sektor prestigjioz të RABITA-s!
Apo, mbase ky anëtarësim vjen si rrjedhojë e zhytjes symbylltazi të Shaqir Fetait nëpër ujërat e turbullta të vehabizmit! Apo, ndoshta, ky anëtarësim vjen si rrjedhojë e shprehjes së mirënjohjes për anëtarin vehabist që Shaqir Fetai e mbanë në kabinetin e vet. Apo, krejt në fund, mos ky anëtarësim vjen si rrjedhojë e pajtimit të Shaqir Fetait që në territorin e Maqedonisë së Veriut t’u mundësojë aktivitete zyrtare “pipthave” të vehabizmit, të cilat tashmë me pajtimin e këtij farë “akademiku” janë regjistruar edhe nëpër organet gjegjëse shtetërore për veprimtari fetare, për kundër faktit që për këtë veprimtari këtu është BFI-a!
Sido qoftë, është vetëm një arsye që e di komuniteti vehabist se pse, Shaqir Fetai, duhet të anëtarësohet në Këshillin e Jurisprudencës islame si i vetmi “reis” deri më sot, pa përgatitje profesionale e gjuhësore adekuate! Pra, nuk u anëtarësua sepse u dallua nga reisët me këllqe nëpër botë, nuk u anëtarësua se në botën islame u dallua me ndonjë qëndrim unikat, nuk u anëtarësua se në botën akademike islame la ndonjë gjurmë të paarritshme, jo se në sferën e Jurisprudencës bëri dallimin, as se gjuhësisht është komunikativ me botën arabe! Thjesht, ai u anëtarësua aty, përkundër të gjitha kritereve, vetëm sepse kësaj organizate prestigjioze i kreu ndonjë shërbim të cilin ata nuk po e gjenin këtu tash e tri dekada nën drejtmin e REISUL ULEMASË TË BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepit.