Shkruan ish i burgosuri politik nga Kosova, Nexhat Ibrahimi: Shaqë mos harro ti ke qenë spiun i UDB-së në Jugosllavi

Këtë letër e ka shkruar profesor Nexhat Ibrahimi nga Kosova, ish i burgosur politik, ku 8 vite e 1 ditë, ka vuajtur dënim në burgjet e Millosheviqit. Profesor Ibrahimi, ka qenë ish koleg dhe cimer i Shaqir Fetahut gjatë studimeve në Sarajevë.

I dashur Efendi Shaqa!
Vitet e fundit më ke befasuar, madje më ke shtangur me akrobacionet politike, me nëpërskëmbëzat tinzare ndaj miqve e shokëve, me marifetllëqe të mbitokës e nëntokës, edhe pse unë prisja të befasohem me punë konstruktive e sistematike brenda Bashkësisë Islame të Maqedonisë.
Nuk të përshëndeta me selam, sepse mu dukë hipokrizi nga ana ime. Nuk të pyeta si je, sepse më duket e tepërt, sepse jehona e disponimit tënd dëgjohet edhe jashtë Maqedonisë, që jep të kuptoj që ke kondicion për shumë lojëra futbolli.
Nuk të quajta as Reis, sepse nuk e kam kuptuar që në atë vend ke ardhur me rrugë të mirëfillta, as nuk je duke ia bërë hizmetin “islamçe” punës, por hizmetin e bënë sipas direktivave që të vijnë nga “kufjet” në vesh, që mos ta dëgjojë veshi i majtë ç’dëgjon veshi i djathtë.
Shaqë i dashur! Kemi ngrënë e pirë në një sofër për shumë vite, kemi kaluar vitet më të mira të rinisë së bashku, kemi lozur futboll dhjetëra herë, por nuk e dija se gjatë kësaj kohe t’i përveç shkollës ke kryer edhe një mision tjetër, atë të puthadorit të regjimit, të zëdhënësit tonë pa autorizim për dobi të tyre. Çuditem, sa i fortë paske qenë e nuk e kam ditur. Por më dhe pak kurajo, që edhe unë paskam vlejtur dikur që “madhëria jote” të merret. Ti ke pasur të gjitha autorizimet, si i gjithëpushtetshëm që je, atëherë e sot, ndaj edhe i ke dhënë të drejtë vetes të flasësh në emrin tim për mua para autoriteteve të UBDA-s, përkatësisht të flasësh për idetë, veprimet dhe jetën time para organeve të spiunazhit.
Ç’të ndodhi? Përse më spiunove? Të duhej pozita! Të duhej pasuri! Përse më solle aq telashe mua dhe familjes time?! Edhe pse ndonjëherë kam dyshuar, megjithatë i kam thënë vetes, nuk ke të drejtë, hafëz Shaqa nuk e bënë këtë. Një hafiz, një teolog, një cimer, një bashkëshort, një baba, nuk e bën, ose së paku më jep ndonjë shenjë se ç’po ndodh rreth meje, që jam i ndjekur. Ke pasur kohë, ke pasur mundësi, ke pasur rast!
Përse nuk e bëre këtë më vonë, pasi jemi rritur e martuar, kemi krijuar familje e kemi bërë karrierë? Përse nuk the: o njeri, kam qenë i ri dhe kam gabuar!, ose kam qenë i shtrënguar nga policia dhe kam gabuar!, ose kam pasur oferta por e shoh që kam gabuar! Nuk të dhembesha unë? Nuk të dhimbsej familja ime (por edhe e jotja)? Nuk të dhimbsej titulli i hoxhës e hafizit? Apo, ke kryer detyrën tënde patriotike prej jugosllavi dhe ke spiunuar fëlliqtë mbi shokët e dhomës! Aman, sa e rëndë që edhe sot i them këto fjalë, hera e parë që flas publikisht për këtë temë, edhe pse e di tashmë shumë vite më herët, qysh kur shteti yt Jugosllavia të ka shpallur për spiun.
I dashur Shaqë, ia hodhe paçe Molla Sylës. I dhe pleksus dhe nokaut. U bëre më i fortë se ai. Por, më kujtohen edhe servilizmat tua ndaj tij. Por, ke duruar me durim ‘bilalian’ deri në çastin e duhur për ta goditur.
Në vend që ta përmirësosh gjendjen juridike, financiare, kulturore, fetare, njerëzore në organizatë, ti po e gjunjëzon organizatën, po përjashton kuadrot, po ofendon kolegët. Shumë e rëndë. Kush të dha këtë të drejtë?! UDBA?! O Shaqë, nëse gabove si i ri, si pranon të gabosh si i vjetër! A nuk e sheh varrin disa hapa më tej! Apo reisët si ti nuk japin llogari, si të ishe njeri ‘Komiteti’!
Para disa muajve bëre allishverishe jo të matura, duke shkarkuar njerëz nga puna, sepse nuk i ke pëlqyer fjalët dhe veprat e tyre! Po, por nëse ti ke të drejtë të flasësh e veprosh përse edhe ata nuk e kanë këtë të drejtë? Vallë, të erdhi shpallje ty për saktësinë e fjalëve dhe veprime tua. Në vend të përjashtimit, përse nuk i ke ftuar të bisedosh konstruktivisht, me sinqeritet, të shohësh gabimet tua dhe natyrisht të tyret.
Sërish këto ditë me allishverishe! Më ngjan në lugatin, të cilit kur i konsumohet forca, pinë gjakun e ndonjë njeriu, për të vazhduar jetën prej lugati. Ty, të kënaq kjo që përjashton njerëz! Mos je bërë, vallë, më i madh tanimë kur ke shkarkuar kolegë tuajit nga detyra pa gjykim! Mbaje mend, as Nemrudi, as Faraonët, as Hitleri, as Tito, as Stalini në fillim nuk kanë pirë gjakun e shokëve. Kjo filloi kur filluan të mbesin pa prova, pa argumente, kur kishin frikë nga vetja dhe hija e tyre!
A nuk ishte më me vend të jepje dorëheqje, e të shkoje në shtëpi si njeri, që të të përshëndesin njerëzit njerëzisht. Kështu, ca kalamaj rreth teje të duartrokasin dhe ti merr forcë nga tifozllëku i tyre. Abuzon me Bashkësinë Islame, abuzon me ligjin, abuzon me të drejtat e njeriut për nevojën e të mbeturit spiun deri në frymën e fundit. Habitem me ty. Kështu nuk të kanë mësuar mësuesit tuaj, as në medrese, as në fakultet. Mbase kjo është ndonjë vijë gjenetike që ti dhe familja do t’i turpëroheni me vite e vite. Edhe Çegrani do të turpërohet nga vesvesja e të qenit spiun.
Habitem se si gjen guxim të dalësh para njerëzve e t’u flasësh për të mirën e kundër të keqes, për hallallin e haramin, për miqësinë e dashamirësinë, kur ti ke thyer të gjitha parimet e njerëzores. Sa ajete e hadithe ke shkel duke vepruar në mënyrën tënde.
I dashur Shaqë! Edhe ne të tjerët gabojmë. Bëjmë gabime, por për dallim prej teje, përmirësohemi. Bëjmë edhe mirë, sepse e dimë se do të gabojmë edhe në të ardhmen. Lutemi dhe pendohemi, sepse kjo është rruga jonë.
Nuk do ta zgjas më shumë. Të sugjeroj: shkel në tokë, merre shtruar, shko në shtëpi. Kjo është më mirë se të vazhdosh të gabosh. Vazhdimi në gabime të çon më tej, në ambis, nga ku nuk ka kthim!
Shprehi keqardhje për këto fjalë që u detyrova t’i them pas shumë vitesh. Më dhimbsesh si e bënë gjumin. Më dhimbsesh si do të përgjigjesh në Berzah.
Mos e harro, ti ke qenë spiuni im. Më ke bërë dëme fizike dhe psikike. Më ke prishur jetën. Shkaku i ambicieve tua të liga, unë jam rrahur, jam uritur, kam pritur disa vite për punë, sepse isha i padëshiruar për ata si ti, që udhëhiqnin Bashkësinë Islame. Hallall nuk e ke sepse as nuk e ke kërkuar hallallëkun. Dhe nuk do ta kesh hallall, nëse kjo gjë për ty vlen diçka.


Ish-miku yt, Nexhat Ibrahimi
09.11.2023, Prizren
/Almakos/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *