Mediat në Serbi kanë raportuar se pak orë pas mesnate një krim ka ndodhur në pikën kufitare në Loznicë, ku një efektiv i policisë kufitare ka mbetur i vrarë dhe kolegu i tij është plagosur.
Nga raportimet dhe sipas ministrit të brendshëm të Serbisë Ivica Daçiç, polici Nikolla Krsmanoviç 34-vjeç ka mbetur i vdekur, ndërsa Vejkoslav Iliç 50-vjeç është plagosur dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Efektivët kishin ndaluar për kontroll një automjet tip ‘Benz’ në pikën e kontrollit Lipnički Šor. Në makinë ndodheshin dy shtetas, të cilët mendohet të kenë dalë nga makina dhe kanë qëlluar me armë policin 34-vjeçar në gjoks dhe kolegun e tij në shpatull.
Më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Policët serbë janë dërguar në spitalin e Loznicës ku Krsmanoviç ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes thuhet se është gjetur një pasaportë e lëshuar nga autoritet e Kosovës me emër të Artan Hajziri, i cili mendohet të jetë dhe autori i ngjarjes.
Policia po punon për të ndaluar autorin!