Para ndërtesës së Qeverisë së Malit të Zi në Podgoricë sonte është mbajtur një tubim i qytetarëve serbë për të shprehur pakënaqësinë e tyre me njoftimin e autoritetit ekzekutiv se do të mbështesin Rezolutën për Srebrenicën në Kombet e Bashkuara ( OKB).
Një numër i madh i policëve ndodhen në oborrin ndërmjet ndërtesës së Qeverisë së Malit të Zi dhe ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme (MVP), raporton vijesti.
Barrikadat para godinave të autoriteteve më të larta shtetërore sigurohen nga policia malazeze.
Të tubuarit mbanin flamujt e Serbisë dhe Rusisë si dhe ato të kishave ortodokse. Të mbledhurit brohorasin “tradhti, tradhti” dhe “dorëheqje”.
Kujtojmë se javë më parë kryeministri malazez, Milojko Spajiq ka deklaruar se Mali i Zi do të votojë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në mbështetje të Rezolutës që shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
“Ne do të votojmë për këtë dhe për të gjitha rezolutat që dënojnë gjenocidin. Jemi njëqind për qind dakord me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian”, tha Spajiq gjatë një debati në parlamentin malazez.
Kujtojmë se më 11 korrik të vitit 1995, më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan nga forcat e serbëve të Bosnjës në Srebrenicë. Masakra e cila ndodhi një javë pasi Srebrenica, që ishte shpallur nga Kombet e Bashkuara si zonë e sigurt u sulmua nga forcat serbe të Bosnjës, është vlerësuar si mizoria më e rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq dhe ai ushtarak Ratko Mladiq, janë dënuar më burgim të përjetshëm nga Gjykata e OKB-së për krime lufte në ish Jugosllavi, për krime lufte dhe gjenocid në Srebrenicë.
Përveç tyre më shumë se 50 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet heqje lirie për gjenocid dhe krime në atë qytet.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e konfirmoi në vitin 2007 se në Srebrenicë është kryer gjenocid, duke theksuar gjithashtu se Serbia dështoi ta parandalojë atë.