Robin (Haxhi) Krasniqi, ka mposhtur portugezin Jorge Silva në meçin e zhvilluar në Augsburg të Gjermanisë me pikë pas dhjetë raundesh.
Përballja i takonte kategorisë gjysmë të rëndë e s’ishte e vlefshme për ndonjë titull apo kualifikuese për ndonjë titull.
Për 37-vjeçarin Krasniqi ishte meçi i parë nëntë muaj pas fitores ndaj Nadjib Mohammedit në Prishtinë, më 5 gusht të vitit të kaluar.
Për kosovarin ishte fitorja e 54-t në karrierë. Krasniqi ka pësuar shtatë humbje në karrierë në boksin profesionist.
Krasniqi e kishte dominimin, por pa ndonjë shkëlqim të veçantë.
Për portugezin 40-vjeçar Jorge Silva ishte humbja e dhjetë në karrierë. Ka edhe 22 fitore.
Meçet tjera të boksierëve shqiptarë
Në meçet tjera, boksieri shqiptar Isuf Kelmendi është ngjitur për herë të katërt në ringun e boksit profesional. Ai kishte për kundërshtar hungarezin Pal Olah. 21-vjeçari shqiptar me nënshtetësi gjermane fitoren e arriti vetëm në raundin e gjashtë.
Në anën tjetër, boksieri nga Drenasi, Granit Bylykbashi – Stein ka shënuar fitoren e 18-të në boksin profesional.
Kundërshtari Rostislav Zich nga Çekia nuk arriti t’i përballojë luftës dinamike të boksierit kosovar, duke u dorëzuar pas tetë raundesh, e ku Bylykbashi shkon në 18 fitore, prej tyre dhjetë me nokaut, një humbje e asnjë barazim.
Fitore mori edhe Kushtrim Tahirukaj që mposhti lehtë Milos Janjanin nga Bosnja e Hercegovina.
Tahirukaj, i mbështetur nga tifozë të shumtë shqiptarë në sallën “Neue Sporthalle”, dominoi përgjatë duelit dhe rrëzoi kundërshtarin në raundin e katërt.
Edhe boksieri shqiptar nga Bujanoci, Erion Veseli ka debutuar në ringun profesional me fitore kundër bullgarit Dimitrov.
Fitoreve të boksierëve shqiptarë iu shtua edhe ajo e Atdhe Delijaj, që mposhti bullgarin Veselin Vasilev.