“Rruga e plumbit brenda zgavrës së kafkës ka qenë nga e majta në të djathtë në një trajektore pothuajse të drejtë” theksohet në raportin e Institutit Palestinez të Mjekësisë Ligjore
Në raportin e autopsisë të përgatitur nga Instituti Palestinez i Mjekësisë Ligjore për aktivisten turko-amerikane Ayşenur Ezgi Eygi, thuhet se plumbi izraelit që shënjestroi Eygin në kokë “ka goditur nga e majta në të djathtë në një trajektore pothuajse të drejtë”, raporton Anadolu.
Në raportin e autopsisë së Institutit të Mjekësisë Ligjore në varësi të Ministrisë palestineze të Drejtësisë, të cilin Anadolu (AA) e ka siguruar, theksohet se Prokuroria Publike e Nablusit vendosi transferimin e trupit të Eygit në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Universitetit en-Najah në qytet për një autopsi dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Siç njoftohet, se shkaku i vdekjes së Eygit, e cila u qëllua nga ushtarët izraelitë ndërsa po merrte pjesë në një demonstratë paqësore në Jabal Abu Sabih në qytezën Beita afër Nablusit në Bregun Perëndimor të pushtuar, ishte “copëtimi, gjakderdhja dhe edema në tru me burim nga goditja me armë zjarri”.
“Rruga e plumbit brenda zgavrës së kafkës ka qenë nga e majta në të djathtë në një trajektore pothuajse të drejtë” theksohet në raport.
Më tej vihet në dukje se Eygi është sjellë në Spitalin Shtetëror Rafidia në orën 14:06 të datës 6 shtator dhe nuk ka dhënë shenja jete.
Plumbi ka dëmtuar indin e trurit të Eygit, njoftohet në raport, ku më tej thuhet: “Zemra e saj kishte ndaluar, bebëzat i kishte të zgjeruara dhe të palëvizshme. Si rezultat i ekzaminimit u konstatua se plumbi ka hyrë nga pas veshit të majtë dhe nuk ka dalë jashtë dhe se copa të trurit të Eygit kanë fluturuar nga vendi ku hyri plumbi”.
Në raport theksohet se plumbi e ka goditur Eygin në tru dhe se copa të plumbit janë gjetur në tru.
Raporti vuri në dukje se plumbi i qëlluar ndaj Eygit u copëtua pasi hyri në kafkën e saj, se u përhap në indin e trurit të saj dhe se në trupin e Eygit nuk u gjet asnjë plagë tjetër përveçse në kokë.
Është raportuar se Eygit i është bërë masazh në zemër 6 herë dhe nuk i është përgjigjur asnjërës prej tyre dhe se vdekja e saj është njoftuar në orën 14:35 të datës 6 shtator 2024.
Ushtria izraelite pretendoi se Eygi “nuk ishte në shënjestër të drejtpërdrejtë”
Si rezultat i hetimeve të kryera nga ushtria izraelite, u pretendua se Eygi nuk ishte shënjestruar drejtpërdrejt.
Ushtria izraelite, në deklaratën e saj në lidhje me vrasjen e Eygit, pretendoi se ajo “mund të jetë vrarë pa dashje” si rezultat i zjarrit të hapur nga ushtarët izraelitë dhe se ushtari izraelit që qëlloi atë “dëshironte të shënjestronte një demonstrues tjetër gjatë kësaj kohe”.
U raportua se rezultatet e hetimit të kryer nga Njësia e Hetimit Kriminal të Policisë Ushtarake izraelite do të paraqiteshin në Prokurorinë Ushtarake.
Gjithashtu është theksuar se Izraeli ka bërë kërkesë për një autopsi në trupin e Eygit.
Shtetasja turko-amerikane Ayşenur Ezgi Eygi, 26 vjeçe, humbi jetën pasi u qëllua në kokë si pasojë e zjarrit të hapur nga një snajper izraelit gjatë një demonstrate anti pushtimit të mbajtur në Beita të Nablusit në Bregun Perëndimor të pushtuar më 6 shtator.
Deklaratat e Bidenit për vdekjen e Eygi
Presidenti amerikan Joe Biden, ndaj një pyetje mbi rastin që iu drejtua ndërsa po largohej nga Shtëpia e Bardhë për në New York më 11 shtator, tha: “Duket se ishte një aksident. (Plumbi) E ka goditur atë aksidentalisht duke kërcyer nga toka”.
Edhe në deklaratën e bërë nga Shtëpia e Bardhë, pretendohet se vdekja e Eygit ishte rezultat i një “gabimi tragjik”./AA/