Presidentja Vjosa Osmani ka qëndruar gjatë ditës së sotme në Komunën e Drenasit, ku është takuar me kreun e saj, Ramiz Lladrovci.
Pas takimit, Osmani ka ndarë kohën edhe për gazetarët, ndërsa është pyetur në lidhje me reagimin e shteteve të Quint-it, ambasadorit të BE-së në Kosovë dhe OSBE-së, të cilat shprehën shqetësimin e tyre rreth shpronësimeve në veri, duke thënë se Qeveria nuk po e zbaton ligjin.
E para e shtetit tha se këto shpronësime janë në përputhje me ligjet, Kushtetutën dhe standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, teksa theksoi se e përkrahë çdo veprim që është në interes të sigurisë nacionale dhe të qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie.
“Çështja e shpronësimeve për çdo qytetar i Republikës së Kosovës, pavarësisht etnisë, duhet të analizohet vetëm në kontekst të përputhshmërisë me ligjin e aplikueshëm në Kosovë dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Çështja e shpronësimeve ka rregulla të caktuara dhe këto rregulla, jo vetëm që përcaktohen me ligjet tona por edhe me standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për aq sa respektohen këto standarde… është një test pesë hapësh i paraparë nga vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut… përderisa respektohet ky standard dhe të gjithë pesë hapat janë aplikuar, kjo nënkupton se është zbatuar edhe ligji ynë, edhe kërkesat tona Kushtetuese, e edhe kërkesat e standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe shpronësimet vazhdojnë në përputhje me ligjin pa asnjë tendencë për diskriminim të askujt”, deklaroi Osmani.
Në ndërkohë, ajo tha Qeveria e Kosovës dje ka dhënë shpjegimin e duhur në lidhje me procesin e shpronësimeve në komunat veriore.
“Dje institucionet e Kosovës e kanë dhënë shpjegimin e duhur së si është bërë kjo procedurë e cila është edhe në interes nacional për shkak të sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.
Ajo tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme për sigurinë e të gjithëve që veriu i Kosovës të mbrohet nga sulmet e Serbisë dhe në mënyrë që Kosova të mbrohet, ne kemi nevojë për institucionet tona të sigurisë të cilat e kanë mbrojtur heroikisht dhe me sukses deri sot çdo cep të vendit tonë, prandaj përderisa shpronësimet janë në përputhje të plotë me ligjet e aplikueshme, Kushtetutën dhe pesë hapat që janë standard i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si presidente e Republikës e përkrah çdo veprim në interes të sigurisë nacionale dhe të të gjithë qytetarëve pa dallim”, u shpreh shefja e vendit.
Osmani tha se ndoshta ka ende hapësirë për komunikim që të shpjegohen këto çështje në detaje nga institucionet përgjegjëse te partnerët tanë dhe në mënyrë që të sigurohen të gjithë se “e tëra që Kosova ka bërë është se ka respektuar një standard të Gjykatës Evropiane të cilin e respektojnë dhe e përcjellin të gjitha vendet anëtare të KiE-së”.
“Në fakt, Kosova shpeshherë e respekton shumë më shumë këtë standard se ato vende që tashmë janë anëtare, por unë në asnjë moment nuk shoh tendencë për diskriminim mbi baza etnike por thjesht respektim të standardeve që i ka paraparë edhe Kushtetua jonë edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Detyra jonë është ta mbrojmë çdo qytetar të Kosovës pa dallim etnie dhe ta mbrojmë çdo cep të Kosovës”, tha presidentja Osmani.