Presidenti Erdogan: Dënoj dhe mallkoj ashpër atentatin ndaj liderit të Hamasit

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdogan, duke reaguar për atentatin ndaj shefit të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, tha: “Dënoj dhe mallkoj ashpër atentatin e pabesë ndaj shefit të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran”.

Erdogan nëpërmjet rrjeteve sociale ka reaguar lidhur me atentatin ndaj Haniyeh.

“Ky atentat është një akt i turpshëm që synon të minojë çështjen palestineze, rezistencën e lavdishme të Gazës dhe luftën e drejtë të vëllezërve tanë palestinezë si dhe t’i frikësojë ata”, shkroi Erdoğan.

Duke rikujtuar “sulmet e mëparshme të neveritshme” të bëra ndaj Sheikh Ahmed Yassin, Abdel Aziz al-Rantisi dhe shumë figura politike nga Gaza, Erdogan tha se edhe atentati ndaj Haniyeh ka të njëjtin qëllim.

“Megjithatë, barbaria sioniste, ashtu si deri tani nuk do të mund të arrijë qëllimet e saj. Inshallah me qëndrimin më të fortë të botës islame dhe aleancën e njerëzimit, terrori i shkaktuar nga Izraeli në rajonin tonë, veçanërisht shtypja dhe gjenocidi në Gaza, patjetër do të marrë fund dhe rajoni ynë dhe bota jonë do të gjejnë paqe”, theksoi presidenti turk.

Ai tha se vendi i tij do të vazhdojë të provojë të gjitha mjetet dhe të mbështesë vëllezërit e tyre palestinezë me të gjitha mjetet dhe të gjitha forcat, transmeton Anadolu.”Ne do të vazhdojmë të punojmë për krijimin e një shteti të lirë, sovran dhe të pavarur të Palestinës, bazuar në kufijtë e vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet”, shtoi Erdoğan duke shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e Haniyeh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *