Vdiq Linditë Ahmeti, një ndër poeteshat më të mira të kombit shqiptar. Krijuese brilante, e qetë, e brishtë, e dashur, shumë miqësore por që, megjithatë, nën atë qetësi olimpike, zgjodhi t’i bashkëngjitet vargut të yjeve të përjetësisë. Çast i trishtë, plotë dhembje, nga ato dhembje që i prijnë shpirtit të dëlirë drejt yjësisë. Askujt nuk ia tregoi planin e ikjes drejt artistit tonë që i mungoi aq shumë, drejt vëllait, Luranit. Iku heshturazi!
Nuk mori asgjë me vete: na i la dhimbjet e jetës, na e la kujtimin kristal të pastër, na e la shpirtin e saj të mrekullueshëm që do ta prekim në çdo varg, në çdo poezi të saj, në krijimtarinë e saj poetike që do të ngelë vlerë e padiskutueshme e letërsisë sonë kombëtare.
Pra, Lindita kaloi në amshim, pa e prishur atë kontratë që e kishte me popullin që kur e mori lapsin në dorë: shpirti i saj i përket bibliotekave tona – Gjithësisë së Librit.
Prehu në paqe motër e jona, Linditë!
/HEJZA/