Ish-kandidati për president të Serbisë dhe ish-gjenerali ushtarak, tani kryetar i partisë Serbia Qendra (SRCE), Zdravko Ponosh, ka komentuar një takim tjetër të pasuksesshëm të delegacioneve të Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ponosh, siç raportojnë mediat serbe, ka thënë se asnjë takim në nivelin e kryenegociatorëve Petkoviq – Bislimi nuk do të jetë i suksesshëm, sepse “këto janë takime teknike dhe shërbejnë më shumë për të mos shuar zjarrin”.
“Edhe takimi i fundit që në fakt nuk ndodhi, dhe në të njëjtën kohë atje ishin Vuçiq dhe Kurti, shërben gjithashtu që zjarri të mos shuhet derisa të krijohet administrata e re e Brukselit. Asgjë thelbësore nuk do të ndodhë atje, e vetmja gjë që do të ndodhë është ajo që Kurti bën gjatë gjithë kohës, është ndryshimi i situatës në terren ndërkohë. Ai nuk është bjerrakohës, Vuçiqi është bjerrakohës, por pyetja është se çfarë mund të bëjë më shumë [Vuçiq] sepse ka humbur gjithçka që mund të humbte”.
“Ai shpreson vetëm për kthimin e Trumpit në pushtet, se si do të shkojnë zgjedhjet amerikane dhe se më vonë Grenell do të vijë dhe do ta ndihmojë të marrë diçka. Ai padyshim që po luan me këtë”, tha Ponosh, duke shtuar se “administrata e re në BE do të vazhdojë të shtyjnë të gjitha gjërat drejt njohjes formale, që mund të mos quhet kështu”.