Policia e Kosovës vazhdon bastisjet nëpër lokacione të ndryshme drejt ndriçimit të rastit, identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar, në lidhje me sulmet e fundit në veri, përfshirë edhe sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok. Njësiti i specializuar K-9, i shoqëruar me qentë e trajnuar policorë, është parë nga orët e hershme të mëngjesit në fshatin Varagë afër Zubin Potokut. Ky njësit është angazhuar në asistimin e gjetjes së mundshme të eksplozivit në këtë zonë, ku dy ditë më parë pati sulm terrorist. Deri tani nuk dihet nëse është gjetur ndonjë sasi e pashpërthyer e eksplozivit. Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se është përdorur eksploziv deri në 20 kilogramë i cili ishte vendosur në një çantë të zezë dhe ishte aktivizuar me detonator mekanik, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.
Autoritetet e Kosovës akuzojnë Serbinë për këtë “sulm kriminal dhe terrorist” dhe strukturat kriminale të udhëhequra nga Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës të shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se autoritetet serbe po zhvillojnë hetim duke i hedhur poshtë përsëri akuzat e autoriteteve kosovare se Beogradi ka gisht në sulmin ndaj infrastrukturës jetike kosovare. Ai tha se ky është “sulm hibrid ndaj një shteti”.
“Përveç që nuk kemi asnjë lidhje me këtë, ne kemi qenë aq të drejtë dhe, si një shtet serioz, nuk jemi marrë me akuza dhe nuk kemi thënë se ai sulm është urdhëruar drejtpërdrejt nga Kurti”, Kemi disa dyshime të caktuara, por hetimi do të tregojë se kush e ka urdhëruar. Mendoj se kemi disa njohuri për atë se kush mund të jetë kryerësi”, tha Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë .
Vuçiq tha se është i gatshëm të ofrojë bashkëpunim me të gjithë, përfshirë edhe për Prishtinën zyrtare.
Policia e Kosovës arrestoi tetë persona të cilët dyshohen për përfshirje në veprime kriminale e terroriste. Ata dyshohen për përfshirje në sulmin ndaj kanalit të ujit të premten dhe se janë pjesë të “Mbrojtjes Civile”, e cila ka vepruar ilegalisht në veri të Kosovës nga viti 2011 dhe cila është shpallur organizatë terroriste në qershorin e vitit të kaluar nga Qeveria e Kosovës.