Mijëra demonstrues pro-palestinezë protestuan në qytete anembanë botës të dielën në prag të përvjetorit të parë të luftës gjenocidiale të Izraelit në Gaza.
Demonstratat u mbajtën në qytetet kryesore nga Xhakarta në Stamboll deri në Rabat dhe pasuan protestat të shtunën në kryeqytetet kryesore evropiane, si dhe në Uashington e Nju Jork.
“Ne jemi këtu për të mbështetur rezistencën palestineze,” tha protestuesi Ahmet Unal në Stamboll për Reuters, ku mijëra njerëz u mblodhën.
Në Xhakartë, kryeqyteti i Indonezisë, vendi më i populluar në botë me shumicë myslimane, mijëra protestues pro-palestinezë u mblodhën të dielën në mëngjes pranë ambasadës amerikane duke kërkuar që Uashingtoni të ndalojë furnizimin me armë për Izraelin.
Në Sidnei, mijëra protestues pro-palestinezë u mblodhën përpara përvjetorit të 7 tetorit, duke brohoritur dhe valëvitur flamujt libanezë dhe palestinezë mes një pranie të madhe policie.
Në Rabat, mijëra marokenë marshuan, duke bërë thirrje për ndalimin e dhunës në Gaza dhe Liban, në një nga protestat më të mëdha në vend që nga fillimi i luftës në Gaza.
Protestuesit kërkuan përfundimin e lidhjeve diplomatike të Marokut me Izraelin, duke brohoritur “jo normalizimit, Palestina nuk është në shitje”, duke iu referuar vendosjes së marrëdhënieve diplomatike nga Maroku me Izraelin.
Gjatë vitit të kaluar, shkalla e vrasjeve dhe e shkatërrimeve në Gaza ka nxitur disa nga demonstratat më të mëdha globale në vite, duke përfshirë SHBA-në.