Persona të armatosur sulmuan një grup njerëzish në qytetin bregdetar të Guayaquil të Ekuadorit duke vrarë nëntë dhe duke plagosur 10 të tjerë, tha policia.
Ky është incidenti i fundit në një varg sulmesh të tilla të dhunshme në vendin e Amerikës së Jugut.
Asnjë grup nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin, raporton Associated Press.
Kjo ishte vrasja e dytë masive në pak ditë. Të premten, pesë persona që ishin rrëmbyer u vranë në provincën bregdetare të Manabit nga një bandë e armatosur. Policia tha se kishte shenja se viktimat ishin turistë të kapur gabimisht në një mosmarrëveshje lokale të trafikut të drogës. Ata nuk dhanë hollësi.
Në atë incident, një grup i armatosur kishte rrëmbyer gjithsej 11 persona. Policia tha se gjashtë të tjerët, përfshirë pesë të mitur, u shpëtuan dhe iu dorëzuan familjeve të tyre. Dy të dyshuar janë arrestuar të shtunën në mëngjes, sipas policisë.