Nderohet sakrifica e UÇK-së në dritën e flakadanëve anembanë Kosovës

Ndezja e flakadanëve që simbolizon përhapjen e flakës së lirisë në gjithë vendin, edhe sivjet mblodhi mijëra qytetarë. Përveç Prekazit, në kuadër të Epopesë së UÇK-së, ndezja e zjarreve u bë në disa qytete e fshatra të Kosovës.

Sot ka përfunduar manifestimi gjithëpopullor në kujtim dhe nderim të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ashtu siç është bërë traditë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” u ndezën  fakadanët me të cilat shënohet mbyllja e manifestimit treditor.

Në Prishtinë, flakadanët u ndezën në orën 19:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, si një akt simbolik për të përmbyllur Epopenë e UÇK-së. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, tha se ky aktivitet u shënua për të nderuar sakrificën e jashtëzakonshme të familjes Jashari dhe për të kujtuar lavdinë e Prekazit, si simbol të luftës për liri.

Ndezja e flakadanëve u bë edhe në Prizren. Nën organizimin e SH.B. “Haxhi Bedridin Isaja” në bashkëpunim me Shoqatën Engjujt e Trafikut, duke filluar nga ora 19:00 nga sheshi Shadërvan, u shënua aktiviteti tashmë tradicional “Nata e Zjarreve në Kalanë e Prizrenit”. Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.  

Ky aktivitet u shënua gjithashtu në fshatin Pagarush të Maliveshës, në Kompleksin në Gradish të Rahovecit, te Lapidari i Dëshmorve në fshatin Pagarushë, në fshatin Stroc, në fshatin Pjetërshticë te monumenti i UÇK-së, në fshatin Drenoc, në Samadraxhë, etj.

“Nata e zjarreve” e Epopesë së UÇK-së u shënua gjithashtu në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë. Forca e Sigurisë së Kosovës ka ndarë një video nga momenti i ndezjes së flakadanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *