Sajuesit e manipulimeve në lëmin e kulturës vazhdojnë akoma të dalin në sipërfaqe dhe sakaq mjegullojnë gjithçka që nuk i shkon për shtati atij që e mban në jetë – pushtetit.
Në ambientin që pretendohet se është demokratik (në shoqërinë shqiptare më kreativ janë manipuluesit me vlerat e demokracisë), kritika, çfarëdo që të jetë ajo, është diçka fluide, që nuk vërehet ose thjeshtë ngulfatet dhe jep shpirt akoma pa e parë dritën. Ndonëse për çdo ditë jemi dëshmitarë të veprimeve të shumta që cenojnë indin kombëtar, historinë, vlerat shpirtërore, zëri i intelektualëve të fjetur është shterur në përmasa të turpshme. Tashmë janë të shumtë lakenjtë dhe servilët që mundohen ta bindin opinionin se “përfaqësuesit në pushtet janë të pagabueshëm, kurse të tjerët duhet të heshtin”. Po ku t’i gjejmë këta të tjerët që thjeshtë janë shndërruar në masë amorfe.
Koston e një atmosfere të tillë të turbullt gjithsesi do ta paguajnë ata të cilët trajtohen si gjallesa për eksperimente të “demokracisë”, duke i ushqyer me gënjeshtra të llojllojshme. Fatkeqësia bëhet edhe më madhe kur të kihet parasysh fakti se në një atmosferë të tillë të turbullt, pushtetarët shqiptarë vazhdojnë ta thellojë hendekun e ndasisë midis shqiptarëve, sa që nuk gabojmë nëse themi se me vështirësi edhe njihemi me njëri tjetrin.
Politizimi i skajshëm është prezent edhe në lëmin e kulturës ku përfituesit më të mëdhenj janë ata që ia mbajnë ison pushtetit ose që e ndërrojnë gëzofin varësisht motit. Më askush nuk mendon për projekte në shtigje të gjata në shërbim të ngritjes së vlerave kulturore e shpirtërore, por vetëm për projekte të atypëratyshëm, që fillojnë në mëngjes e zhduken sapo të lëshohet errësira. Pra, të gjithë mendojnë sot për sot dhe askush për të nesërmen e kulturës dhe historisë sonë. Nuk ka mbetur gjë as nga institucionet kulturore, të cilat funksionojnë, siç thuhet ndër popull, si “rosat nëpër në mjegull”. Për të punësuarit në këto institucione primare është paga në fund të muajit, pavarësisht faktit se shërbejnë vetëm si dekor i veprimeve tragjike-komike të pushtetit, i cili asnjëherë kulturën nuk e perceptoi si diçka të shenjtë.
Shqiptarët kanë arritur në stadin më të lartë të hutesës, krejt kjo falë kontributit të tyre. Pra, u bënë e keqja e vetvetes. Ndërkaq, hutesa, sipas një interpretimi logjik, është e barasvlershme me pasivitetin. Më nuk ndihmon edhe aktrimi i herëpashershëm, sepse është sipërfaqësor dhe mbi të gjitha i tejdukshëm. Kontribuesit e kësaj injorance janë pikërisht ata që kanë arritur ta mjegullojnë atmosferën dhe të notojnë në ujërat e politikës, duke u paraqitur si shpëtimtarë të kulturës së shqiptarëve, të cilën në fakt pothuaj e kanë fundosur në baltën prej rëre.
/HEJZA/