Mbyllet faza çerekfinale – Franca, Egjipti, Maroku dhe Spanja avancojnë në gjysmëfinale

Ka përfunduar faza çerekfinale në Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’ në futboll, aty ku tashmë janë mësuar edhe çiftet gjysmëfinaliste.

Maroku e siguroi e para fazën gjysmëfinale pas fitores së thellë që mori me rezultat 4-0 ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas Marokut, fitore të lehtë mori edhe Spanja e cila mposhti Japoninë me rezultat 3-0 duke konfirmuar edhe një herë pse është ndër kombëtaret favorite për të fituar medaljen.

Kualifikimin tutje e siguroi edhe kombëtarja e Egjiptit e cila triumfoi në penallti ndaj Paraguait me rezultat 5-4 pasi ndeshja në kohë të rregullt përfundoi me rezultat të barabartë 1-1.

Dy kombëtaret që nga shumëkush janë llogaritur si më të mirat në Lojërat Olimpike, Franca dhe Argjentina, u përballën në fazën çerekfinale.

Fituese në këtë takim doli Franca që arriti ta sigurojë kualifikimin me rezultat minimal 1-0, me golin e vetëm të shënuar nga Jean-Philippe Mateta.

Ndeshjet gjysmëfinaliste do të zhvillohen më datë 5 gusht ndërsa çiftet gjysmëfinaliste janë: Franca-Egjipti dhe Maroku-Spanja.

Finalja e madhe do të zhvillohet më datë 9 gusht, ndërsa dueli për medaljen e bronztë do të luhet një ditë më herët, pra më 8 gusht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *