Kompania e cila ka vendosur kamerat e sigurisë në Ministrinë për Sistem Politik ka përfunduar mbikëqyrjen e sistemit për kontroll. Raporti i dorëzuar deri tek ministri Ivan Stoilkoviq është dorëzuar në policinë për krim kibernetik, por për të nuk do të referohet në Qeveri. Nga Ministria e Brendshme thonë se janë duke proceduar mbi denoncimin e bërë ditë më parë. Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski tha se për një shkelje të tillë ligjore duhet të ketë përgjegjësi.
“Ai veprim është në kundërshtim me çdo ligj të shtetit. E përshëndes angazhimin e zëvendëskryeministrit. Nuk kam më shumë informacion pasi neve nuk jemi organ hetues ndaj kompanisë. Sistem për incizim kemi edhe në ministrinë tonë por mund të ju garantoj ai sistem kontrollohet nga ministria, nga vendi i posaçëm për kontrollin e të gjitha hapësirave. Çfarë ndodhë nëpër ministritë tjera, për këtë përgjegjëse është Ministria e Brendshme”, deklaroi Stefan Andonovski, Ministër i Transformimit Digjital.
Nga verifikimi që ka bërë Alsat, kompania “Mak Alarm” rezulton me adresë në Shkup. Atë e drejton një person me emrin Lupço Avramovski i cili përmes telefonit konfirmoi se është drejtor i kësaj kompanie dhe se nga ana e të punësuarve është bërë verifikimi i duhur i sistemit. Dyshimet janë për kontrollë nga jashtë me IP adresa të huaja. Nga verifikimi që ka bërë kompania “Mak Alarm” kanë rezultuar mijëra adresa lokale me të njëjtë IP, gjë që sipas raportit për zbatimin e monitorimit në institucion e vështirëson zbardhjen e adresës së saktë. Stoillkoviq në akuzat e tij publike tha se ndaj sistemit për monitorim ka kontroll nga jashtë me dyshimet se dikush e i monitoron të punësuarit dhe një gjë të tillë e ka bërë edhe paraprakisht. “Mak Alarm” monitoron sigurinë në disa objekte të rëndësisë së veçantë në mesin e tyre edhe ambasadat e huaja. Në faqen e kësaj kompanie nuk rezulton Ministria për Sistem Politik. Nga kompania në rrugë jo zyrtare na thanë se memorandumi për bashkëpunim është lidhur në vitin 2022. Ish zëvendëskryeministri Artan Grubi, akuzat e Stoillkoviqit i ka cilësuar si të pabaza duke shpjeguar se kamerat e sigurisë i ka gjetur në ministri dhe të njëjtat kanë monitoruar vetëm korridoret. /Alsat.mk