Kryeministri Albin Kurti ka thënë që në vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka bërë kërkesë që bota perëndimore t’i bëjë më shumë trysni Serbisë për dorëzimin e Milan Radoiçiqit.
“Para katër ditësh u mbushën plot 11 muaj nga agresioni i Serbisë ndaj vendit tonë, kur u vra rreshteri i Policisë, tash heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku. Për këtë sulm, Serbia ende nuk është mbajtur përgjegjëse, dhe vijon të mos dorëzojë drejt autoriteteve tona, kryekriminelin e saj, Milan Radoiçiq”, ka thënë Kurti në mbledhjen e qeverisë së Kosovës.
“Edhe gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në takimet bilaterale me senatorë e kongresistë amerikanë, në margjina të Konventës së Demokratëve kërkova që të ketë më shumë trysni nga bota perëndimore e demokratike për vënie para drejtësisë kundrejt akteve terroriste e destabilizuese të Beogradit zyrtar dhe individëve përkatës, përgjegjës”.