GNK përmirëson raportin ku tha se “KFOR-i negocioi largimin” e terroristëve të Banjskës

Grupi Ndërkombëtar i Krizave (GNK-ICG) ngjalli reagim të madh në vend kur raporti i tij mbi situatën në Kosovë u përmend nga komisioni për mbrojtje e siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s këtë fundjavë.

Në raportin e kësaj organizate, në një pjesë ku flitej për rastin e 24 shtatorit në Banjskë, u tha se “KFOR-i ndërmjetësoi tërheqjen e grupit të armatosur serb nga Banjska”.

Megjithatë, në një përditësim të sotëm që i kanë bërë raportit, thuhet se ajo deklaratë nuk qëndron.

“Ky tekst u përditësua më 28 maj 2024. Versioni origjinal i këtij raporti gabimisht tha se personeli i KFOR-it negocioi tërheqjen e grupit të armatosur serb nga bllokimi në Banjskë”, shkruan në raportin e GNK-së, raporton Klankosova.tv.

Pas publikimit të raportit fillestar, i menjëhershëm ishte reagimi i KFOR-it.

Në reagim u mohuan pretendimet e GNK-së se ishte kjo forcë që kishte negociuar largimin e grupit të armatosur serb nga manastiri i Banjskës.

“Organizata Grupi Ndërkombëtar i Krizave publikoi së fundmi një raport të titulluar ‘Kosova veriore: Shtrimi i sovranitetit mes lojaliteteve të ndara’. Në përshkrimin e dhunës që ndodhi në Banjskë në shtatorin e 2023, raporti deklaron se: ‘Nga frika e një masakre, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit [të luftëtarëve serbë] në pyjet përreth, nga ku u shpërndanë’. Kjo është e pasaktë. Asnjëherë KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e pretenduara”, tha KFOR-i në reagimin dërguar mediave.

Në raportin e diskutuar të shtunën në komisionin për mbrojtje e siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s, është shkruar që misioni i KFOR-it u mor vesh me sulmuesit që të ikin nga kishin ardhur.

“Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në pyjet përreth, ku ata ishin zhdukur. (ICG, 2024). Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra sulmues të tjerë po fshiheshin në pyjet mes Banjskës dhe kufirit serb dhe ata zbuluan një arkiv të madh armësh të gatshme për të shkaktuar dëme dhe viktima. Kjo përfshinte raketat anti-tank, granata hedhës, minat anti-tanke dhe 24 makinat (njëra e blinduar) (ICG, 2024)”, thuhet në raportin e NATO-s, që i referohet gjetjeve të publikuara në raportin e GNK-së. /Klankosova.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *