Derisa aeroplani AC-130J i forcave ajrore amerikane fluturon mbi blloqet e larta të apartamenteve të Koresë së Jugut, kamerat e tij të fuqishme pothuajse mund të shohin brenda dritareve në katet më të larta, shkruan CNN.
Duke synuar më larg, ushtarët në aeroplanin me katër motor i quajtur Ghostrider, mund të zgjedhin objekte nga 15 mijë metra lartësi – duke goditur ato me armën më të madhe të montuar ndonjëherë në një aeroplan.
CNN pati rastin të filmojë pamje ekskluzive brenda aeroplanit, të caktuar në Komandën e Operacioneve Speciale të Forcave Ajrore amerikane, në fillim të qershorit, pasi fluturoi nga baza në Hurlburt Field të Florida për një stërvitje të përbashkët në Korenë e Jugut.
Në një stërvitje, topi prej 105 milimetrash shkrepi predha 43 kilogramëshe, në një poligon në lindje të Seulit, ku forca e çdo shpërthimi ishte aq e fuqishme sa shtyu bishtin e aeroplanit 80 tonësh pesë metra në të djathtë.
Rreth tetë sekonda pas gjuajtjes, predhat goditën objektivin në një rreze prej 3 mijë metrash, derisa kontrollorët e armës së madhe shikonin rezultatet e punës së tyre në ekranet e mëdhenj të aeroplanit.
“Vlerësohen dy tanke të shkatërruara”, konfirmon një zë në kufjet e anëtarëve të ekuipazhit AC-130.
Piloti, kapiteni John Ikenberry tha se prania e AC-130 për stërvitjet në Korenë e Jugut është projektuar për t’i dërguar një mesazh fqinjëve të Koresë së Jugut dhe udhëheqësit Kim Jong-un.
“Kjo tregon se ne jemi gati”, tha Ikenberry.
Tensionet në Gadishull janë rritur muajve të fundit, ku Koreja e Veriut po dërgon balona me mbeturina në zonat në afërsi të Seulit dhe vazhdimisht po teston raketa, derisa jugkoreanët kanë shkrepur plumba paralajmërues mbi ushtarët verikorean që kaluan zonën e demilitarizimit.
AC-130J, është versioni i ri i Herculesit të Forcave Ajrore amerikane, që po teton aftësitë në Korenë e Jugut për të dytën herë këtë vit.