Fronti Evropian bojkoton seancën e Qeverisë, për shënimin e Marrëveshjes së Ohrit

Maqedonasit mund të ekzistojnë vetëm nëse janë në relacione të mira me shqiptarët, përndryshe janë të destinuar të mos ekzistojnë. Kjo është porosia e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti në Akademinë e organizuar nga Fronti Europian me rastin e shënimit të përvjetorit të 23-të të Marrëveshjes së Ohrit. Ahmeti, në akademinë e cila kryefjalë kishte çështjen e legjitimitetit, kritikoi ashpër politikat e qeverisë së re duke nënvizuar se kryeministri po sillet si aga, ndërkaq shqiptarët trajtohen si hyzmeqarë. Sipas tij, me përfshirjen e VLEN-it në qeveri, janë duke u majorizuar dhe poshtëruar shqiptarët.

“Me puthadorë e argat të kurrkujt nuk bëhemi. Pavarësisht se dikush mendon se dikush mendon se është aga në këtë vend dhe se i ka hyzmeqarët. Ky vend ecën përpara me marrëdhënie të mira ndëretnike, në radhë të parë mes dy komuniteteve më të mëdha, shqiptarëve dhe maqedonasve. Maqedonasit, si komb mund të përparojnë vetëm duke qenë në komunikim e harmoni të mirë e në marrëdhënie me shqiptarët. Përndryshe, i gëlltisin, serbët, bullgarët dhe grekët. Dhe këtë s’ua them unë këtu, ua kam thënë të gjithë përfaqësuesve politik të komunitetin maqedonas. Vetëm me ne, duke bashkëpunuar, duke bashkëjetuar mund ta ruajnë historinë, identitetin e tyre kombëtar. Përndryshe, janë të destinuar që të mos ekzistojnë fare”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, në fjalimin e tij, porositi që do të angazhohen që të gjitha segmentet e Marrëveshjes së Ohrit të rregullohen me ligj, me qëllim që të garantohet legjitimiteti.

“Edhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në mënyrë që të pamundësohet loja me balancerin, sipas tekeve dhe nevojave të Hristijan Mickoskit apo të Stoillkoviqit. Në mënyrë që të pamundësohen shërbëtorët të cilët janë të gatshëm t’i shërbejnë gjithkujt, vetëm jo votuesve dhe qytetarëve nga të cilët kanë marrë votën. Në mënyrë që njëherë e përgjithmonë, legjitimiteti të jetë i garantuar në mënyrë që të respektohet ajo për të cilën sillen marrëveshjet, e këto janë qytetarët, bashkësitë etnike dhe kjo është ardhmëria e në rastin konkret të Maqedonisë së Veriut”, tha Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Gjatë akademisë së sotme, Fronti Europian paralajmëroi se në periudhën në vazhdim do të ndërmarrë masa me qëllim që siç thonë ata, ruajtjen e frymës së MO-së. Bujar Osmani, nga BDI, prezantoi një përmblerdhje të Platformës së Legjitimitetit, të cilën, siç tha ai e ka përgatitur ekspertë amerikanë. Në të njëjtën, thuhet se mospërfshirja e Frontit Evropian në qeveri, përbën shkelje të kushtetutës. Akademia për ditën e Marrëveshjes së Ohrit, është vlerësuar nga përfaqësuesit qeveritar si festë private, pasi që me këtë rast, qeveria ka organizuar shënim zyrtar nga institucionet./Alsat.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *