Fiksimi grotesk i situatave ekzistenciale-jetësore

(Shkëlzen Halimi “Gdhendësi  i pikëllimit”, botoi Shtëpia Botuese “Armagedon”, Prishtinë, 2024)

Nga Kemajl Aliu

Libri  “Gdhendësi i pikëllimit” i shkrimtarit  Shkëlzen Halimi, në fushën e poezisë është libri i tij i njëmbëdhjetë me radhë, i cili përpos shënimit kuantitativ vëllimor, në planin kualitativ imponohet si një korpus poetik vlerash në radhë të parë për veçorinë  e gërshetimit të elementit diskursiv me atë imagjinativ, si një bazament i mbindërtimi dhe shpërfaqjes së një bote artistike apriori figurative, e cila është esenca e origjinalitetit poetik e këtij shkrimtari. 

Prandaj me këtë rast duhet të theksojmë se akt observues i poetit Sh. Halimi nuk janë pamjet dhe pasqyrimi i tyre, apo deskripcioni i situatave dhe ngjarjeve si dhe fenomeneve tjera jetësore, por intencë e tij imediate fund e krye  në këtë libër, është dhe mbetet ofrimi mënyrës së përjetimit të kësaj bote përmes implikacioneve dhe aluzioneve  poetike, të transmetuar me një gjuhë të figuruar, të cilat te lexuesi zgjojnë asociacione dhe divergjenca si në sensin e përjetimit ashtu  edhe të akceptimit kuptimor.

Tri ciklet poetike “Pamjet e lodhura”, “Pas derës së jetës” dhe “Aroma e ftoit të vjeshtës”, mbi të cilat ndërtohet librit “Gdhendësi i pikëllimit” janë ciklet ku  klasifikimi  është bërë sipas një afërsie (ideore dhe tematike),  çka e bëjnë libër të koncipuar dhe mjaft unik, duke përfshirë gjithsesi edhe konsistencën stilistike – gjuhësore të dominuar me figuracionin të pasur dhe të niveluar në tërësinë librore.

Poezia e librit “Gdhendësi i pikëllimit” në tërësinë e saj është realizim poetik  ekuivalent me situatat e subjektivizuara të realitetit ekzistencial jetësor qofshin ato të situatave apo të tematikës më të thjeshtë (si: xhami, grimi, tango) apo të  gjendjeve dhe aspekteve më komplekse (polidimensionale) si; (dashuria,  zanafilla, harta e dhimbjes,  lashtësia  historia etj.) të cilat poeti arrin t’i transmetoj kryesisht nëpërmjet fiksimit grotesk të situatave gjithsesi përmes një gjuhe të figurshme poetike, ku koncepti i absurdit, nocioni i dilemës, dramaciteti i dhimbjes, trajtat e vetmisë, etj, kësaj poezie përgjithësisht, i japin një ton elegjiak.

Në këtë libër poetik si lajtmotiv i tij, kryekëput mund të merret poezia “Beteja” fq. 5, e cila na paraqitet si ana tjetër e dytë e paralelizuar në raport me situatat ekzistencës së jetës njerëzore, si kundërthënie, si përpjekje, ndeshje dhe kundërvënie karshi fatit ekzistencial  i cili është i  determiniuar fund e krye, prej; pamjeve të lodhura, portave të pikëllimit, cepave të dhimbjes, hapësirave boshe, ëndrrave të fjetura, të cilat apriori janë qenësia ekzistenciale.

Siç do të vërejmë më tej edhe pse betejat apriori janë synim i mësymjes së largësive, gjegjësisht i idealit, të figuruar si  permanencë veprimi  ( gjë që vërehet edhe në kontekstin nëntekstor të vargut poetik), prapë se prapë,  vërejmë se asgjë gjallëruese nuk ka për të ndodhur në këtë gjeografi të dhimbjes e cila është e përmbytur në boshllëk dhe në absurdin e heshtjes përmbytëse, e që për epilog shenjëzimi do të ketë vetëm vajin e qyqes  /E dashur/ të marrim ushtarin e vrarë/në betejat e papërfunduara /…/ ta varrosim nën pemën / e qershisë/nën degët e së cilës / natë për natë / do ta vajtojë qyqja/  “Vaji i qyqes” fq. 30.  

Intesifikimi përmasor bëhet gjithnjë e më tragjik sepse hapësira ku frymon subjekti është e atillë, ku nuk mund të bëhet dot akt tjetër krijues, përveç transmetimit objektiv, gdhendjes së pikëllimit, i cili është përkufizues natyror i realitetit,  prandaj edhe një epilog i tillë i krijues gjithsesi është i natyrshëm. Në diskursin zonal të poetit shfaqet hapësira e pafundme dhe e heshtur madje deri në mungesën qoftë edhe të një zëri të vetëm, ku hapësira e një kohe pa fill e mbarim, pa kalendar kohor, mund të jetë e qasshme ndoshta vetëm për një trokitje heshtjeje në portën vetmitare të saj, për të cilën poeti do të thotë? Nëse troket heshtja/ mos e hap derën/ …./…do të ndizen zjarret e mallit/, Heshtja fq.49. Apo në poezinë “Pafundësi” fq. 46 ku ai thotë: do ta pikturoj gjethin e mallit/ që bie në pafundësinë e dhimbjes../.

E tëra kjo dëshmon përmasën e figurimit poetik apriori të maturuar e cila si e tillë i jep dimension të duhur kuptimit përmbajtësor dhe emocional për ta funksionalizuar poezinë, edhe me nëntekst, duke shpërfaqur ndjenjën e nostalgjisë, absurdin e vetmisë dhe pafundësinë e dhimbjes në një infinit hapësinor dhe kohor.

Ky lloj krijimi poetik, që e kultivon edhe Sh.Halimi, i prekë në esencën e tyre proceset reale-jetësore me gjithë ndërlikueshmërinë e tyre, apriori përmes figuracionit.  Në lidhje me këtë  kritiku R. Musliu në një rast thoshte: “ …kjo letërsi e figurës dhe e metaforës vazhdimisht ka ruajtur lidhjet me realitetin dhe çdo shtegtim nga figura ka prekur realitetin…për të zbuluar një kënd të përditshmërisë me aluzionin, alegorinë e sidomos me ironinë që është figura kryesore…”“Tangjentat letrare”, fq. 8.

Në librin “Gdhendësi i pikëllimit” jeta përshkruhet  pothuajse që nga zanafilla si   një zbrazëti, një boshllëk i pafund, prandaj  trajtat e saja reale duhet dhe mund të kapërcehen vetëm përmes botës së dytësuar- botës së kujtimeve, e cila botë frymon e paralelizuar me botën reale, esencën e së cilës e përbëjnë dhe e mbajnë  gjallë vetëm kujtimet, në frymën e të cilave zë fill pikësynimi ideal për kërkimin e dashurisë, me pikënisje gjithnjë nga streha e kujtimeve për në botën reale, nëpërmjet betejave. Prandaj poeti thotë: Në kujtime t’i kam lënë përqafimet/ që do të ngrohin/derisa të kthehem/ nga betejat me jetën/ Beteja, fq. 5.

Ajo çka duhet veçuar në librin “Gdhendësi i pikëllimit”  është se edhe pse poeti për pikësynim ka tema motivore fare konkrete si; stacioni i ndarjeve, pasqyrë dhimbje, eshtrat etj, nëpërmes imagjinatës së bujshme ai përpos që arrin  të shmangë çdo shpërfaqje natyrale-transparente të këtij realiteti, arrin ta ridimensionoj këtë materie në një realitet të estetizuar, me gjuhë poetike të veçantë stilistike,  ani pse me ngjyrime karakteristike, ku imazhet e mugëta, tisi i hollë dhe  herë herë i nuancave  të së errëtës,  janë dominuese në tërësinë librore.   

Objekti lëndor, në këtë libër herë-herë metaforizohet në shkallën të subjektivizmit imagjinativ ku kujtesa merr përmasën reale, si ekzistencë, si identitet i abstraktizuar në pikturë, e cila do të përjetësohet në aromën e pemëve. Kjo dëshmon se edhe pse në shikim të parë duket se gjithë poezia e librit disi është e një niveli realizues do të thoshim  të ekulibruar, por jo, herë pas here poeti ka disa poezi karakteristike – befasuese, me një metaforë dhe figurshmëri që dëshmojnë talentin e theksuar dhe pjekurinë artistike të tij, bie fjala sikur poezia Zhdukje, fq. 52.

Poezitë e librit “Gdhendësi i pikëllimit” karakterizohen me faktin se janë poezi  kryesisht të shkurtra, ku vlen të theksohet se sa do të shkurtra të jenë, bartin në vete një përmbajtje dhe një mesazh kuptimplotë psh. poezia “Largësitë” fq. 36 ku sipas poetit / Largësitë pas vetes lënë/ shumë pikëllim/ dhe heshtje/ / s’kanë gjuhë/ për ta përshkruar mallin. Është poezi ku metaforizohen largësitë, vetmia dhe malli   memecëria e tyre, të cilat janë të pagjuhë prandaj edhe fjala, dhe gjuhë e poetit e cila siç shohim në këtë rasti sikur është vetëm konstatuese e absurdit të kësaj metafizike. Gjithçka do të marr fund koha do të ikë,  siç thotë poeti: / me dhimbjen dhe pikëllimin/me një mal kujtime/ të mbuluar me pluhurin e harresës/ Pluhur Harrese fq. 24. Kjo gjendje dëshpërimi vazhdon deri në përmasat e rezignatës të  ekzistencës jetësore,  sepse gjithçka ndodhë në një kohë ku nuk ka data, ku nuk ka histori,  komedi apo tragjedi. Prandaj, a nuk është kjo vetë tragjedi. Tragjedi  e pafundme, memece, dhe e padëshmuar.

Poeti befason veçanërisht me gjuhën simbolike, të figurshme, me potencën  metaforike  që cilësohet  sidomos me ëndrrat e fjetura, me pikturën pa ngjyra ( si botë në botë), me cepat e dhimbjes me lulet në fustan, rilindjen imagjinatave, pritjen, pikëllimin për hënën (Çamëria) etj etj. Kjo poezi përmbledhë në vete  nocione dhe koncepte shumë të gjera me tekst dhe nëntekst pothuajse simbiotik, që homogjenizohen në një poezi të standardizuar si realizim i tërësishëm. Poezi e shkurtër e një spektri te gjerë përmasash të ngjarjeve ekzistenciale,  meditativo- filozofike por që në sa një rast nuk shmanget nga boshti poetik i saj. Tjetër veçori është se në asnjë rast  poeti nuk i kushton  rëndësi anës formale të ndërtimit të poezisë  në aspektin e jashtëm (rime etj) mirëpo, prapë ngelë poezi e poetizuar në përmasën e duhur.

E veçanta e kësaj poezie gjithashtu është edhe drejtpërdrejtshmëria e saj shprehëse të cilën ai arrin ta funksionalizoj poetikisht përmes një metaforike konsistente, çka  i jep asaj trajta kuptimore dhe mesazhe poetike, të cilat për shkak të potencës krijuese në planin tematiko estetik, gjatë aktit të leximit,  krijohen mundësi të shumta,  përjetimi, kuptimi, si dhe interpretimi.

Duke folur për rëndësinë e gjuhës poetike. R. Barthes në një rast thoshte ; “ Rrjedhimisht gjuha poetike e përqendruar në figurë  fiton funksion tjetër semantik shndërrohet në gjuhë të mimetizuar” (R. M. “Mbindërtimi Poetik” fq. 149-150.)

Prandaj në fund mund të konstatojmë se në përgjithësi libri “Gdhendësi i pikëllimit” shënon vlerë të vërejtshme letrare, ku në mesin e elementeve poetike të inkorporuara dhe  të përpunuara  deri në standardin poetik final të këtij libri, gjithsesi cilësohet elementi i figuracionit, element ky që e individualizon bindshëm personalitetin krijues të Sh. Halimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *