Drejtori i Departamentit të Laboratorëve Mjeko-Ligjor, Agron Thaqi, ka thënë se trupi i pajetë që ka mbërritur mbrëmë nga Serbia në Kosovë është i Faton Hajrizit.
Thaqi tha se trupi i Faton Hajrizit është identifikuar nga familjarët e tij në praninë e mjekut kujdestar.
“Mbrëmë rreth orës 01:00 është pranuar trupi i pajetë, i cili është i Faton Hajrizit. Këtë po e deklarojmë pas urdhëresës që është bërë nga Prokuroria. Është identifikuar nga familjarët në praninë e mjekut kujdestar”.
“Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, kemi formuar një komision tre-anëtarësh prej ekspertëve që do të kryejnë autopsinë, që do të fillojë në ora 13:00 në praninë e familjarëve dhe prokurorit”, tha ai.
Tutje, ai tha se pas raportit të autopsisë, trupi do t’iu dorëzohet familjarëve për ceremoninë e varrimit.