Distria Krasniqi stoliset me medalje të argjendtë në Linz Grand Prix

Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi ka fituar medaljen e argjendtë në ‘Grand Prix Upper Austria 2025’ në kategorinë deri 52 kilogramë, pasi u mposht në finale nga xhudistja japoneze Iroha Oi. 

Distria e kishte nisur në mënyrë të përkryer garën për medalje në Linz Grand Prix, duke fituar në raundin e dytë, pasi të parin e kaloi pa luftë. 

Në raundin e dytë, xhudistja pejane ishte më e mirë se kundërshtarja amerikane, Jenna Schurr, duke e mposhtur me ippon. 

Pas kësaj fitore, Distria u kualifikua në çerekfinale të kategorisë deri në 52 kilogramë, ku aty u përball me serben Nikolina Nisavic. 

Xhudistja jonë e kaloi edhe këtë pengesë me sukses, duke arritur fitore ndaj kundërshtares serbe brenda 25 sekondash çka bëri që ajo të sigurojë kalimin në gjysmëfinale. 

Në gjysmëfinale, xhudistja pejane u ndesh me hungarezen Reka Pupp, të cilën gjithashtu e mposhti me ‘waza-ari’ pa shumë vështirësi për të arritur në finalen e madhe. 

Në finale Distria nuk pati fat duke u mposhtur brenda pak sekondave me ‘Ippon’ nga xhudistja japoneze.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *