Ministri i punëve të brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se disa ambasada të Serbisë në Evropë, sikurse edhe aeroporti i Beogradit “Nikolla Teslla”, kanë marrë mesazhe kërcënuese.
Siç njofton media serbe N1, Daçiqi ka thënë se “sipas informatave zyrtare”, i dyshuari për këto kërcënime është Denis Krasniqi nga Zvicra, prindërit e të cilit janë nga Kosova.
“Në lidhje me mesazhet kërcënuese të marra përmes postës elektronike nga Aeroporti i Beogradit, ambasadat dhe konsullatat tona në Austri dhe Gjermani, dhe Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë, Ministria e Punëve të Brendshme mori informacion zyrtar nga Gjermania dhe Zvicra se ishte Denis Krasniqi (26-vjeç, nga Zvicra, prindërit e të cilit janë nga Kosova”, tha Daçiqi.
Ai pretendoi se ky person “aktualisht ndodhet në Kosovë” dhe, sipas tij, “është lëshuar urdhër që menjëherë pas kthimit në Zvicër të paraqitet në polici”.
Gjatë ditës së sotme u raportua se ambasadat e Serbisë në dy kryeqytetet kryesore evropiane kanë marrë kërcënime në 24 orët e kaluara se do të jenë cak i sulmeve terroriste.