Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, thotë se mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë stabilitet, derisa “Moska t’i tërheqë ambiciet e saj imperialiste nga rajoni”.
Clark ka udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, 25 vjet pas përfundimit të sulmeve, ai thotë se “Serbia është si një magnet që i tërheq ambiciet imperialiste ruse në Evropë”.
“Serbia duhet ta kuptojë se e ardhmja e saj është me Perëndimin. Kur serbët ta kuptojnë këtë, nuk do të ketë probleme me Kosovën”, thotë Clark.
Radio Evropa e Lirë: Gjeneral Clark, 25 vjet pas përfundimit të luftës, paqja mes Kosovës dhe Serbisë nuk duket premtuese. Pse, sipas jush?
Wesley Clark: Serbia nuk do paqe dhe Kosova nuk do pavarësi të nënshtruar.
Radio Evropa e Lirë: Cila është rrugëdalja atëherë?
Wesley Clark: Rrugëdalje është mposhtja e Rusisë në Ukrainë. Rusia ta tërheqë mbështetjen për Serbinë dhe Serbia ta kuptojë se e ardhmja e saj është me Perëndimin. Kur serbët ta kuptojnë këtë, nuk do të ketë probleme me Kosovën.
Radio Evropa e Lirë: Pse Rusia vazhdon të ndërhyjë në rajon?
Wesley Clark: Rusia ka ambicie imperialiste – të gjithë në Evropën Lindore e dinë këtë. Të gjithë që nuk janë Rusi, Moska i sheh si qenie më të vogla.
Serbia është si një magnet që i tërheq ambiciet imperialiste ruse në Evropë. Sot, ajo shërben si agjente infektuese në rajon – në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe gjetkë.
Radio Evropa e Lirë: Si mund t’i luftojë rajoni, por edhe aleatët perëndimorë këto përpjekje?
Wesley Clark: Ne i kemi vlerat tona në Perëndim. Ne nuk përfshihemi në të njëjtin lloj mashtrimi si Moska, apo në blerjen e njerëzve. Ne kalojmë nëpër procese demokratike. Ne i shohim interesat e njerëzve. Ata e dinë se çfarë përfaqëson Amerika dhe ata zgjedhin të jenë ose të mos jenë me Amerikën.
Për mua nuk ka kuptim që disa parti politike në Evropën Lindore, të cilat kanë vuajtur për 40 vjet ose më shumë nën dominimin sovjetik, duan të bashkohen me Rusinë, në vend se me Bashkimin Evropian. Pse? Çfarë u ofron Rusia atyre përveç parave politikanëve? U ofron një investim të madh? Jo. Teknologji të re? Jo. Pjesëmarrje në një organizatë të madhe që do të avanconte mirëqenien e popullit? Jo. Asnjë prej tyre. Thjesht, një lojë që luhet pa mëshirë nga ambicia imperialiste ruse.